Kryeqyteti ukrainas, Kievi, i është nënshtruar një sulmi të rëndë ajror nga Rusia, për herë të tetë këtë muaj, duke lënë tre të plagosur.
Në video në mediat sociale, sistemet e mbrojtjes ajrore mund të shihen duke rrëzuar raketa mbi qytet.
Mesazhet e qeverisë i paralajmëronin njerëzit që të qëndronin larg dritareve pasi mbetjet nga raketat binin nga qielli.
Kryetari i bashkisë Vitali Klitschko tha se disa mbeturina raketash kishin rënë në rrethet qendrore, duke përfshirë edhe kopshtin zoologjik të qytetit.
Sulmi kompleks u përshkrua si “i jashtëzakonshëm në densitetin e tij” nga një zyrtar i Kievit, shkruan BBC, përcjell Syri.net Kosova.
Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit ukrainas, e përshkroi breshërinë si “numrin maksimal të raketave sulmuese në periudhën më të shkurtër kohore”.
“Sipas informacioneve paraprake, shumica dërrmuese e objektivave të armikut në hapësirën ajrore të Kievit u zbuluan dhe u shkatërruan”, shtoi ai.
Në ditët e fundit, presidenti Volodymyr Zelensky ka qenë në një turne evropian, në të cilin i janë premtuar pajisje ushtarake në vlerë prej disa miliardë dollarësh nga aleatët perëndimorë, duke përfshirë kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak dhe presidentin Emmanuel Macron të Francës.
Mijëra civilë dhe luftëtarë janë vrarë ose plagosur, qytete dhe qyteza janë shkatërruar në luftime dhe rreth 8.2 milionë ukrainas janë regjistruar si refugjatë në Evropë, me 2.8 milionë prej tyre në Rusia.