Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), kanë publikuar versionin e mëtejshëm të redaktuar të versionit të korrigjuar të versionit të redaktuar publik të aktgjykimit gjyqësor të Salih Mustafës.
Këtë version mund ta gjeni në gjuhën angleze në faqen zyrtare të DhSK-së, konkretisht: KËTU.
Ndryshe, aktgjykimi ndaj Mustafës ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, i cili është dënuar më 26 vite burgim.
Ndaj këtij aktgjykimi Salih Mustafa ka dorëzuar dosjen e tij të apelit, kurse Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësit e viktimave do të dorëzojnë dosjet e përgjigjeve deri më 5 qershor 2023.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, kishte njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Salih Mustafa akuzohej në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.