Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska u takua me Presidentin e Koresë së Jugut Yun Suk-yeol. Zelenska, bashkëshortja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ndodhet në Korenë e Jugut për të marrë pjesë në një konferencë për media.
Në një intervistë me agjencinë e lajmeve të Koresë së Jugut Yonhap të publikuar sot, Zelenska tha se ishte e gatshme të ftonte Yun në vendin e saj, duke thënë se një vizitë e tillë do të ishte një mbështetje e madhe për ukrainasit.
Ajo gjithashtu paralajmëroi kundër rrezikut të lodhjes nga lufta dhe bëri thirrje për mbështetje “më radikale” për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Koreja e Jugut, një prodhues i madh i predhave të artilerisë, ka thënë se nuk do të furnizojë Ukrainën me armë vdekjeprurëse, duke përmendur marrëdhëniet e saj me Rusinë.