Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot u bë 41 vjeçe. Karrierën politike, Osmani e filloi në moshë të re si aktiviste e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të vazhduar me postin e deputetes për tre mandate.
Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit në vitin 2020, ajo u bë ushtruese detyre e postit të presidentes.
Ndërsa, në vitin 2021, Vjosa Osmani ishte gruaja e dytë që u zgjodh presidente, pas Atifete Jahjagës, që ishte e parë udhëheqëse në krye të shtetit.
Para Osmanit, ishte Jahjaga e cila në moshën 36 vjeçare e mori në duar timonin e shtetit dhe shërbeu si kryetare e Kosovës deri në moshën 41 vjeçare, po aq vjet sa sot i mbushi Osmani.
15 shtete në botë, përfshirë Kosovën, aktualisht udhëhiqen nga gratë. Hungaria, Sllovakia, Sllovenia, Greqia, Moldavia, India, Peruja, Trinidad dhe Tobago, Hondurasi, Tajvani, Singapori, Gjeorgjia, Etiopia dhe Barbadosi.
Evropa prin me shtatë presidente në: Kosovë, Greqi, Hungari, Slloveni, Sllovaki, Moldavi, Gjeorgji (vend transkontinental).
Pas saj renditet Amerika e Jugut me katër presidente në: Peru, Honduras, Trinidad dhe Tobago, Barbados. Pasuar nga Azia me tri: Indi, Tajvan dhe Singapor.
Në kontinentin e Afrikës është një presidente, ajo e Etiopisë, ndërkaq në Amerikën e Veriut nuk udhëheq asnjë grua e as në Australi.