LajmeRajon

QKUK-ja ka plot pajisje mjekësore, por s’ka kush t’i shfrytëzojë

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka pajisje të cilat janë jashtë funksionit si pasojë e prishjeve. Por, disa nga pajisjet nuk shfrytëzohen edhe për arsyeje të mungesës së stafit që nuk janë të kualifikuar për mirëmbajtjen e tyre. Këtë e konfirmojnë për Radio Kosovën zyrtarë nga departamenti i pasjeve mjekësore në SHSKUK.

Kur një pajisje mjekësore ka prishje në QKUK, operatorët ekonomikë intervenojnë  dhe problemi evitohet brenda 24 orëve. Kështu ka thënë Agron Boshnjaku, zyrtar i lartë i pajisjeve mjekësore në SHSKUK. Në  një prononcim për Radio Kosovën Boshnjaku ka thënë se janë disa pajisje të tjera mjekësore të cilat nuk mund t’i mirëmbajnë operatorët ekonomikë vendorë. Ato pajisje i kanë në servisime të jashtme sepse kostoja është më e lirë për shkak të garancionit që ka pajisja. Boshnjaku tregon për pajisjet të cilat janë aktualisht jashtë funksionit.   

“Kemi pajisje që janë jashtë funksionit siç është pajisje që përdorët për rrezatimin e sëmundjeve të ndryshme nga kanceri e cila është instaluar në vitin 2009. Po ashtu për momentin kemi jashtë funksionit edhe rezonanca magnetike e cila është e montuar në pediatri dhe shpresojmë që së shpejti të jetë funksionale”, deklaroi Boshnjaku.

Ai thotë që në disa salla operative kanë pajisje të cilat janë në gjendje të rregullt, por që nuk punojnë për shkak të mungesës së stafit të cilët nuk janë të kualifikuar që të punojnë me ato pajisje.

“Një gjë duhet ta dini se ka pajisje të cilat nuk hyjnë në funksion për shkak të mungesës së stafit dhe kjo është arsyeja që nuk funksionojnë. Ndërsa pajisjet janë në rregull, ndodh që neve na kalon edhe kadenca e pajisjes për arsyeje që nuk është përdorur, por që arsyeja e vetme ka qenë mungesa e stafit”, tha ai.

Sipas Boshnjakut, duhet të investohet më shume në pajisje mjekësore sepse nuk është si në të kaluarën kur pajisjet kanë qenë analoge. Sipas tij, tashmë çdo pajisje është digjitale dhe jetëgjatësia e pajisjeve është 5-7 vite garanci, nga kompanitë e mëdha. Ndërsa në anën tjetër përderisa QKUK përballet me telashe të pajisjeve si nga prishjet po edhe me mungesë stafi, pacientët detyrohen që ekzaminimet t’i bëjnë në spitalet private ku kostoja e ekzaminimeve është shume e lartë.

Show More

Related Articles

Back to top button