Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj ka kërkuar që ish lideri i së djathtës, Sali Berisha të bëjë një hap pas.
Në një prononcim për mediat përpara nisjes së seancës plenare, Xhaferaj shton se Berisha nuk premton më për të ardhmen e kësaj force, ndaj duhet një lidership i ri për rimëkëmbjen e PD.
“Berisha me të shkuarën e tij, me marrëdhëniet që ka me ndërkombëtarët nuk premton perspektivë për më shumë se 500 mijë shqiptarë. E kemi pasur 13 vite drejtues dhe lokomotivë të trenit opozitar.
Por me Berishën në krye kjo punë nuk mund të bëhet por edhe pa Berishën nuk bëhet. Berisha të jetë vagon. Na duhet një drejtues që është në gjendje të projektojë më shumë se 500 mijë shqiptarë. Deri tani jemi në evidencë. Edhe Basha ka rolin e tij për të luajtur, secili duhet të shohë nga vetja. Edhe grupimi jonë ka marrë ato rezultate që ka marrë. Mund të jemi pjesë e një zgjidhje që shkon përtej nesh. Na duhet lidership i ri. Nuk ka zgjidhje tjetër. Ky është presioni që duhet bërë”, tha ai.
Nga ana tjetër, “krahu i djathtë” i Berishës, Edi Paloka refuzoi të dakordësohet për tërheqjen e ish kryedemokratit, duke thënë se beteja e vetme është përballë Edi Ramës. Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve të 14 majit është produkt i vjedhjes së votës nga mazhoranca.
“Zgjedhjet i patë vetë si shkuan, përgjegjësitë tona janë ato që ju thashë, ne përballemi me një realitet që është ky, qeveri që përdor çdo mënyre për të vjedhur votat e shqiptarëve. Përgjegjësia jonë është që ose përballemi me këtë realitet me të gjithë mënyrat se si duhet të përballesh me një qeveri që nuk bën zgjedhje ose të shkojmë në shtëpi të gjithë. Berisha nuk ka pse të bëjë hap pas se këtë kërkon Rama. Të gjithë ata që bëjnë luftën që të iki Berisha duan që të lënë PD të shkalafitet. Kjo është loja që bën Rama. Ju thoni t’ia plotësojmë dhe këtë dëshirë. Nuk më intereson fare, Alibeaj nuk ka pasur asnjë post që të japë dorëheqjen. Rama do bëjë më tepër se kaq. Ka ndonjë që mendon se këto zgjedhje ishin normale? Ky milet në vend që të bërtasë e të ulërasë që jetojmë në një vend ku nuk bëhen zgjedhje. Si bindet ai që i shkon krimineli në shtëpi dhe i thotë ose do marrësh 50 mijë lekëshin ose ke punë me mua? Duhet bërë analiza. Bëjini tamam dhe vejini gishtin hajdutit dhe thoni si duhet ta zgjidhni? Nuk e kam bërë fajtor Bashën për manipulimin e Ramës. Nuk zgjidhet asgjë po ikëm ne, do vijë tjetri, do vjedhë prap Rama. Kush të dojë të vijë ta provojë, e të largojë Ramën”, tha Paloka.
Ndërkohë nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku deklaron se dorëheqja e Alibeajt ishte e papritur, por thekson se hapat e mëtejshëm do të jenë në dakordësi me kolegët demokratë.
“Jemi ende duke e diskutuar për mënyrën se si do të anashkalohet ky ngërc. Për mua ishte e papritur dorëheqja e Alibeajt. Siguroj që çdo hap që do të ndërmerret do diskutohet me kolegët e demokratët. Nuk është keq të kesh ambicie në politikë, por në këtë rast për mua ambicia kryesore ka qenë dhe është ajo e demokratëve, asnjë personale”, tha Tabaku.
Enkelejd Alibeaj hoqi dorë nga drejtimi i PD pas humbjes së thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit. Nga ana tjetër, Berisha nën logon e “Bashkë Fitojmë” dhe aleancës me Ilir Metën, përjashton çdo mundësi për njohje të rezultatit, duke thënë se zgjedhjet u manipuluan nga krimi.