Rusia ka deklaruar se nuk e di se ku ndodhen dy ish-ushtarakët amerikanë, të cilët janë zhdukur derisa po luftonin në krah të Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë po ashtu se ai nuk e di se kush do t’i gjykojë ata, duke iu referuar Moskës zyrtare dhe republikave të vetëshpallura në lindje të Ukrainës, raportoi CNN-i të martën.
“Nuk e di se ku ndodhen ata dhe se kush do t’i gjykojë. E vetmja gjë që mund të them është se ata do të ndiqen penalisht”, ka thënë Peskov përmes një audio-mesazhi.
Sipas medias shtetërore ruse, dy ish-ushtarakët të cilët po luftonin vullnetarisht për Ukrainën, janë arrestuar nga separatistët pro-rusë në Donetsk.
Shtetasit amerikanë, Alexander John-Robert Drueke 39 vjeç, dhe Andy Tai Ngoc Huynh, 27 vjeç, të dy nga Alabama, janë intervistuar nga kanali rus RT në një qendër ndalimi në të ashtuquajturën Republika Popullore e Donetskut (DPR) më 17 qershor.
Dy amerikanët janë zhdukur më 9 qershor, gjatë një beteje në veri të Kharkivit.
Familjarët e tyre kanë shprehur shqetësimin se ata mund të jenë kapur robër nga forcat ruse.
© KOHA.