Momente paniku janë regjistruar mbrëmjen e djeshme në Vatikan, kur një burrë rreth 40 vjeç çau rrethimin e policisë në portën e Sant’Anna me një makinë që udhëtonte me shpejtësi të madhe, duke mos iu përgjigjur urdhrit të Gardës Zvicerane.
Për ta ndaluar, xhandarmëria u detyrua të qëllonte gomat e makinës. Megjithatë, burri arriti të hynte deri në oborrin e San Damaso ku u arrestua përfundimisht.
Burri iu nënshtrua menjëherë vizitës nga mjekët e Drejtorisë së Shëndetit dhe Higjienës të Vatikanit, të cilët konstatuan një gjendje të rëndë psikofizike.
Aktualisht, njofton zyra e shtypit në Selinë e Shenjtë, personi ndodhet në qelinë e burgut në ambientet e reja të kazermës së Xhandarmërisë, në dispozicion të organeve të drejtësisë.