BotaLajme

Analiza e New York Times: Del nga izolimi Asadi i Sirisë

Kur tërmeti shkatërrues goditi Turqinë dhe Sirinë në shkurt, presidenti sirian Bashar al-Assad pa një mundësi unike. Ai bëri thirrje për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër vendit të tij, disa prej tyre u pezulluan disa ditë më vonë. Shumë vende dërguan ndihma humanitare, ndërsa zyrtarë nga këto vende filluan të vizitojnë Damaskun.

Që atëherë, Assad ka bërë një rishfaqje të jashtëzakonshme pas më shumë se një dekade izolimi ndërkombëtar. Presidenti sirian ka përqafuar dje liderët e Ligës Arabe në Jeddah, në takimin e të cilëve ishte ftuar.

“Kthimi i një Assadi të padëmtuar dërgon një mesazh të qartë për udhëheqësit arabë. Diktatorët e kuptojnë se nuk ka pasoja, duke parë Assadin duke festuar”, thotë Darin Khalifa, një ekspert për Sirinë në institutin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Analistët argumentojnë se lufta në Siri krijoi kushtet për atë që shohim sot në Ukrainë. Shtypja e lëvizjes kundër regjimit në Siri dhe mbijetesa e regjimit u arrit pjesërisht falë mbështetjes ushtarake nga Rusia, ndërkohë që regjimi i Putinit nuk është mbajtur kurrë përgjegjës për krimet e tij atje, siç është bombardimi i spitaleve në Siri.

Rusët kanë përdorur në Ukrainë disa taktika të mësuara në frontet siriane, si rrethimet e zonave urbane dhe shfrytëzimi i mungesës së ushqimit. Lufta në Siri ka përforcuar besimin e Vladimir Putinit se rregullat ndërkombëtare mund të thyhen sipas dëshirës.

Edhe pse Uashingtoni ka sinjalizuar se nuk do të rivendosë marrëdhëniet me Damaskun, administrata e Bidenit po u dërgon mesazhe të përziera aleatëve të saj në botën arabe për rregullimin e marrëdhënieve të tyre me Asadin. Në shkurt, organizata Human Rights Watch u bëri thirrje të gjitha vendeve arabe që nxituan të normalizojnë marrëdhëniet e tyre me Sirinë, për t’i kërkuar regjimit të Damaskut të japë llogari për disa nga krimet e tij.

Sot, pas 11 vitesh përjashtimi nga radhët e Ligës Arabe, shumë qeveri në rajonin e gjerë tani po tregtojnë hapur me Damaskun. Zyrtarët e këtyre qeverive argumentojnë se në këtë mënyrë ata të paktën mund të ushtrojnë njëfarë ndikimi mbi Asadin për çështje të tilla si rrjedha e drogës nëpër Siri dhe fati i miliona refugjatëve sirianë në vendet fqinje.

“Qasja aktuale e shteteve arabe ndaj Damaskut konsideron se ofrimi i stimujve për Asadin, si legjitimimi i regjimit të tij nëpërmjet pjesëmarrjes së tij në organizatat ndërkombëtare, do ta shtyjë atë të marrë iniciativa për çështje me interes të përbashkët,” thotë Ibrahim Hamidi, një gazetar i Gazeta siriane “Asharq al-Awsat”.

“Mungesa e Sirisë në takimet e Ligës Arabe ishte një gabim strategjik. Riintegrimi i saj është i nevojshëm për të kufizuar ndikimin e ushtruar nga Irani, Rusia, Turqia dhe SHBA-ja në Damask”, thotë kolumnisti libian i së njëjtës gazetë, Jibril al-Obeidi.

Edhe në shtetet e Gjirit, ku marrëdhëniet me Sirinë tashmë janë rivendosur, shumë shprehin shqetësim për marrëdhëniet e ngushta me regjimin e Asadit. “Shpresojmë se ata do të kujtojnë tragjedinë e popullit sirian kur t’i shtrëngojnë dorën Asadit,” titulloi gazeta kuvajtiane Al Qabas.

Show More

Related Articles

Back to top button