LajmeRajon

Do të vriste bashkëshorten e pajisur me urdhër mbrojtje/ Parandalohet krimi në familje, arrestohet 40-vjeçari

Një krim i rëndë në familje është parandaluar në Durrës, ku 40-vjeçari i armatosur kishte në shënjestër bashkëshorten për ta vrarë.

Me urdhër mbrojtjeje dhe në rrezik për jetën, një grua u shpëtua nga terrori dhe vrasja e paralajmëruar.

Lulëzim Haxhiu u kap me një automatik që dyshohet se do ta përdorte për t’u hakmarrë ndaj bashkëshortes që ishte larguar nga banesa bashkë me fëmijët e tyre për t’i shpëtuar dhunës së tij.

Me të marrë njoftim se 40-vjeçari donte të vriste gruan, policia u vu në lëvizje. Shërbimet e saj organizuan operacionin e koduar “Shkallnuri”.

Ai po qarkullonte me armë zjarri në zonën ku banonte dhe sipas informacioneve të policisë dyshohet se do të kryente krim në familje. Menjëherë u organizua puna për parandalimin e ngjarjes dhe arrestimin.

Policia kapi dhe arrestoi në flagrancë Lulëzim Haxhiun, banues në fshatin Shkallnur, si dhe sekuestruan në automjetin me të cilin qarkullonte, një armë zjarri tip automatik PMSH me karikator e municion luftarak.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ishte larguar prej disa ditësh nga banesa, sepse bashkëshortja e tij është e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Durrësit që prej datës 4 maj, për shkak të dhunës së ushtruar nga ky shtetas.

Dyshohet se 40-vjeçari po kërkonte bashkëshorten për ta vrarë. Nën terror gruaja ishte larguar nga banesa, së bashku me fëmijët. Ndërhyrja në kohë e policisë për kapjen e tij parandaloi ngjarjen e rëndë kriminale, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Top Channel

Show More

Related Articles

Back to top button