Presidenti amerikan Joe Biden do të emërojë James O’Brien si Ndihmëssekretar të shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njoftoi Shtëpia e Bardhë, përcjellë GazetaBlic.
O’Brien aktualisht shërben si shef i Zyrës për Koordinimin e Sanksioneve, në gradën e ambasadorit, në Departamentin e Shtetit, dhe e mban këtë detyrë që nga viti 2022.
Më parë, O’Brien shërbeu në dy administrata amerikane si i dërguar i posaçëm i presidentit dhe gjithashtu ishte emisar për Ballkanin. Ai ka mbajtur edhe postin e këshilltarit të lartë të ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright.
O’Brien njihet si këshilltar për një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat evropiane të paqes, marrëveshjet shkencore dhe mjedisore, tranzicionin post-sovjetik të Rusisë dhe Ukrainës dhe iniciativat për të hetuar dhe ndjekur penalisht ata që janë përgjegjës për krime të luftës. Si i dërguari i parë presidencial për çështjet e pengjeve nga viti 2015 deri në vitin 2017, ai ndihmoi në krijimin e zyrës dhe punoi për të siguruar kthimin e sigurt të 100 qytetarëve amerikanë, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë.
Deri në mars, postin e Zëvendës- Sekretarit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike e mbante Karen Donfried.