Rreth 10 milione qytetarë grekë me të drejtë vote do të zgjedhin të dielën e 21 majit parlamentin. Janë disa parti në garë që kanë nisur edhe kalkulimet, për numrat që u duhen për të drejtuar të vetëm pas 21 majit ose në të kundërt, do të shqyrtojnë mundësinë e bashkëpunimit në një koalicion të përbashkët. Në qoftë se edhe skenari I koalicionit dështon, atëherë do të shkohet në një raund të dytë votimi, në korrik.Sfidanti kryesor i kryeministrit aktual Mitsotakis është ish-Kryeministri Alexis Tsipras.
Konservatorët e Mitsotakis kërkojnë një mandat të dytë duke pretenduar se kanë sjellë rritje të qëndrueshme të ekonomisë, ulje taksash, reduktim të papunësisë dhe rregulla më të ashpra të emigracionit.
Por rivalët e Majtë të Alexis Tsipras duke ju drejtuar votuesve grekë, theksojnë se një shumicë e popullsisë jeton me vështirësi me një sistem shëndetësie që dështoi gjatë pandemisë, çmimet janë rritur dhe se të vetmit që përfituan nga kriza ishin të pasurit, bankat dhe kompanitë e mëdha.
Ndërsa sot mbizotëron heshtja zgjedhore shtrohet pyetja nëse do të vërtetohen sondazhet që japin fitues konservatorët dhe se si do të jenë zhvillimet të hënën, në një peizazh politik thellësisht të ndarë,pasi sistemi proporcional i thjeshtë i këtyre zgjedhjeve ,nuk i jep asnjë partie shumicën absolute.
Me interes pritet se përkrah kujt do të qëndrojnë socialistët edhe pse deri më tani kanë deklaruar se nuk duan të bashkëpunojnë me askënd.Rol kryesor në këto zgjedhje do të luajë edhe pjesëmarrja në votime që pritet të kalojë shifrën prej gati 56% të vitit 2019, ndërsa do të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhje 440,000 të rinj.