LajmeRajon

Presidenti Begaj merr pjesë në stërvitjen “Defender Europe 23”

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka marrë pjesë në stërvitjen “Defender Europe 23”.

“Dy vite me parë, kur nisëm punën për stërvitjen Defender Europe 2021, e dinim se sfida ishte tepër e madhe për kapacitetet e vendit tonë.

E megjithatë ne arritëm të tregojmë se dimë të ngrihemi me përgjegjshmëri në lartësinë e detyrës dhe se Shqipëria jonë e vogël, në fakt, rreh më shumë se pesha e saj.

I dashur Gjeneral Wickmann,

Më vjen shumë mirë, që mblidhemi përsëri në Shqipëri, për t’ju konfirmuar edhe njëherë mbështetjen tonë të palëkundur dhe gatishmërinë e vendit tonë për të intensifikuar gjithmonë e më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Defender Europe lindi si një stërvitje për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Aleancës në rast konflikti a kërcënimi.

Me agresionin e padrejtë rus në Ukrainë, realiteti i sotëm gjeopolitik është tërësisht ndryshe nga ai i dy viteve më parë dhe situata e sigurisë është bërë tejet më komplekse.

Këto ndryshime kanë efekte të ndjeshme edhe në rajonin tonë të brishtë të Ballkanit Perëndimor, ku aktorë dashakeqës që nuk ndajnë të njëjtat vlera me ne, përpiqen të zgjerojnë influencat e tyre.

Prandaj dhe rëndësia e kësaj stërvitje është sot më e prekshme se kurrë dhe vazhdueshmëria e saj më se e nevojshme.

Shqipëria është e përkushtuar në misionin e saj si faktor stabilizues ne Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë.

Padyshim meritat për këtë i takojnë secilit prej burrave dhe grave në uniformë që shërbejnë në Forcat tona të Armatosura dhe nderojnë dhe lartësojnë çdo ditë flamurin e Shqipërisë.

Ju jeni një shtyllë e rëndësishme e shoqërisë sonë dhe mirënjohja për angazhimin dhe profesionalizmin tuaj nuk mund të shprehet mjaftueshëm.

Unë ndihem krenar, që kam qenë njëri prej jush; e në pozitën time si Komandant i Përgjithshëm inkurajoj qeverinë të shtojë akoma më shumë mbështetjen për Forcat e Armatosura dhe kontributin e Shqipërisë në NATO.

Show More

Related Articles

Back to top button