Jetmira Beka u privua nga jeta në moshën 28-vjeçare nga ish-burri i saj, të shtunën në një parking në Aachen të Gjermanisë. Lidhur me rastin tragjik, ka folur Xh.B., familjar i viktimës.
Xh.B., deklaroi se 28-vjeçarja kohët e fundit ishte ndarë me burrin e saj 37-vjeç dhe se i njëjti vazhdimisht kishte ushtruar dhunë ndaj saj. Në momentet kritike, ai tha se viktima kishe qenë me motrën e saj e cila poashtu është plagosur me thikë në dorë nga i dyshuari. Motra e viktimës 18-vjeçare ka pësuar lëndime në dorë dhe sipas Xh.B., ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
“Po vazhdimisht ka përdorur dhunë dorasi, kohën e fundit janë ndarë. Pastaj ka ardhë akti…”, tha Xh.B., për Gazetën Express.
Ai deklaron se krimi ndodhi në sytë e motrës 18-vjeçe.
“E ka vra në sy të motrës, motrën 18-vjeçe e ka plagos. Në tentim me ndal dhunën-aktin, e ka plagosë edhe atë”, tha ai.
18-vjeçarja është jashtë rrezikut për jetë.
“Plagë në dorë ka marrë, është jashtë rrezikut për jetën”, pohoi ai.
Për tragjedinë që tronditi edhe Kosovën ai tha se nuk i dinë motivet.
37-vjeçari ndodhet në paraburgim, ndërsa mediat e huaja kanë raportuar se as prokuroria atje nuk ka dhënë shumë detaje për rastin.
Sipas prokurorit, gruaja vdiq në vend, në parkingun ku u sulmua të shtunën rreth orës 19:00.
Prokuroria është duke e hetuar rastin, ndërsa burri akuzohet për vrasje.