LajmeRajon

Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në KE

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka shprehur mbështetjen për procesin dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Rohde në një postim në Twitter shkruan se mezi presin ta shohin Kosovën si pjesë të Këshillës të Evropës.

“Mezi presim ta shohim Kosovën si pjesë të Këshillit të Evropës, familje që punojnë së bashku për të promovuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kosova i takon Këshillit të Evropës. Gjitha të mirat në procesin e aplikimit për anëtarësim”, shkruan Rohde.

Ndryshe, edhe Grupi parlamentar më i madh opozitar në Gjermani, CDU/CSU, ka kërkuar nga qeveria gjermane mbështetje aktive për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në një deklaratë për media, të enjten në mbrëmje, deputeti i CDU-së, Michael Brand, tha se “kërkesa e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një hap logjik”.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës të enjten në një mbledhje miratoi nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

E aplikimin e Kosovës për tu bërë pjesë e këtij institucioni ndërkombëtar e dorëzoi po të enjten ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Aplikimin e Kosovës për tu bërë pjesë e KiE-së e kanë konfirmuar për Telegrafin edhe nga ky institucion.

Zëdhënësi i KiE-së, Daniel Holgten përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se aplikimi është pranuar dhe i njëjti i dërgohet Komitetit të Ministrave.

Këshilli i Evropës është institucioni më i vjetër i të drejtave të njeriut në Evropë që bashkon demokracitë nga i gjithë kontinenti për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Vlerësohet se përfitimi kryesor i një anëtarësimi të mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës do të jetë për qytetarët pasi ata do të kenë qasje në Gjykatën për të Drejtët e Njeriut. Pos kësaj është edhe aspekti diplomatik dhe politik i afirmimit të shtetësisë së Kosovës.

Procedurat kërkojnë që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës propozon anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave.

Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.

Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë.

Show More

Related Articles

Back to top button