LajmeRajon

Anulohet seanca ndaj Thaçit e të tjerëve, gjykimi rinis më 12 qershor

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë njoftuar se seanca e paraparë për të mërkurën në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, është anuluar.

Sipas njoftimit gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë më 12 qershor.

“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të shtatë të ZPS-së, gjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit përfundoi për këtë javë. Gjykimi do të rinis të hënën, më 12 qershor, në orën 09:00, ndërsa seanca e caktuar për nesër (më 24 maj) anulohet” thuhet në njoftimin e Speciales.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.

Për këto krime të pretenduara, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.

Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi. Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.

Deri më tani në këtë rast të gjithë dëshmitarët kanë dhënë dëshmitë e tyre në seanca kryesisht të mbyllura për publikun.

Show More

Related Articles

Back to top button