BotaLajme

Japonia ofron 100 automjete ushtarake në ndihmë të Ukrainës

Japonia mbajti një ceremoni të mërkurën prej ku dhuroi rreth 100 automjete ushtarake për Ukrainën. Ky veprim i Tokios zyrtar synon të furnizojë Ukrainën me pajisje ushtarake më të rënda, krahasuar me dërgesat e tyre të mëparshme të helmetave dhe kostumeve ushtarake.

Në një ceremoni në Ministrinë e Mbrojtjes, në të cilën ishin ekspozuar dy kamionë gjysmë ton, zëvendësministri japonez i Mbrojtjes Toshiro Ino i dorëzoi ambasadorit ukrainas Sergiy Korsunsky, një dokument ku renditeshin tre llojet e automjeteve të përfshira në donacion.

“Shpresojmë që pushtimi të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur dhe të rikthehet jeta e përditshme paqësore. Ne do të ofrojmë sa më shumë mbështetje që të mundemi”, tha Ino.

Dhurimi, i cili përfshin gjithashtu edhe 30,000 racione ushqimore, vjen në kohën kur Qeveria e Japonisë po kërkon të lehtësojë politikën e transferimit të pajisjeve ushtarake, përmes një politike të re të sigurisë kombëtare që i lejon ushtrisë së saj një rol më të madh sulmues.

Teksa vendet e tjera i kanë ofruar Ukrainës tanke, raketa dhe avionë luftarakë, Japonia ka kufizuar donacionet e saj në pajisje jovdekjeprurëse, sepse politika e transferimit ndalon ofrimin e armëve vdekjeprurëse për vendet në luftë.

Japonia i ka ofruar Ukrainës jelekë antiplumb, helmeta, maska kundër gazit, kostume, drone të vegjël dhe racione ushqimore që nga fillimi i pushtimit rus vitin e kaluar.

Kryeministri japonez Fumio Kishida i premtoi automjete presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky kur ata u takuan në Hiroshimë të dielën gjatë samitit të Grupit të Shtatë (G7) shteteve më të industrializuara.

Japonia ka ofruar gjithashtu të trajtojë ushtarët e plagosur ukrainas në një spital ushtarak japonez.

Agjencia e Blerjes, Teknologjisë dhe Logjistikës tha se detajet, duke përfshirë numrin e saktë të automjeteve dhe kohën e dërgesës së tyre, janë duke u finalizuar.

Tokio i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane në sanksionimin e Rusisë për pushtimin e saj dhe në ofrimin e mbështetjes humanitare dhe ekonomike për Ukrainën.

Japonia ka kontribuar më shumë se 7 miliardë dollarë në Ukrainë.

Ajo ka pranuar gjithashtu më shumë se 2,000 ukrainas të zhvendosur dhe i ka ndihmuar ata me strehim dhe mbështetje për punë dhe arsim, një lëvizje e rrallë në një vend të njohur për politikën e tij strikte të emigracionit./REL

Show More

Related Articles

Back to top button