Ushtria e Koresë së Jugut dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të fillojnë stërvitjet masive dhe manovrat ushtarake pranë kufirit me Korenë e Veriut të enjten, pavarësisht paralajmërimit të shtetit të izoluar komunist se nuk do të lejojë diçka të tillë, pasi e percepton si një ushtrim armiqësor në pragun e kufirit të saj.
Stërvitjet e planifikuara për të enjten, të cilat janë të parat nga pesë rundet e planifikuara nga aleatët deri në mes të qershorit, përkujtojnë 70-vjetorin e aleancës ushtarake midis Seulit dhe Uashingtonit.
Koreja e Veriut është përgjigjur tradicionalisht ndaj stërvitjeve të rëndësishme mes dy shteteve aleate, duke kryer teste që përfshijnë raketa dhe armë të tjera.
Që nga fillimi i vitit 2022, Koreja e Veriut ka kryer mbi 100 testime raketore. Shteti ka pohuar se testimi i saj intensiv ishte në përgjigje të rritjes së stërvitjeve ushtarake të kryera nga SHBA dhe Koreja e Jugut.
Megjithatë, ekspertët besojnë se objektivi i Koresë së Veriut është të rrisë aftësitë e saj të armëve dhe të fitojë kushte më të favorshme nga rivalët e saj në negociatat e mundshme të ardhshme diplomatike.
Manovrat ushtarake mes SHBA-së dhe Koresë së Jugore, të quajtura “stërvitjet e kombinuara të fuqisë së zjarrit të asgjësimit”, janë mbajtur 11 herë që nga fillimi i tyre në vitin 1977, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut.
Zyrtarët e ministrisë thanë se stërvitjet e këtij viti do të përfshijnë avionë luftarakë të avancuar, helikopterë sulmues, tanke dhe sisteme të shumta lëshimi raketash. Nuk dihej menjëherë se sa trupa do të marrin pjesë, por stërvitjet e mëparshme që u mbajtën në vitin 2017 tërhoqën rreth 2,000 ushtarë dhe 250 mjete armësh nga të dy vendet.
Përmes një njoftimi të mëparshëm, Ministria e Mbrojtjes tha se stërvitjet kanë për qëllim të përmirësojnë aftësitë e kombinuara të performancës operacionale të aleatëve.
Në një samit muajin e kaluar, presidenti i SHBA-së Joe Biden dhe presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol njoftuan hapa për të përforcuar aftësitë e tyre parandaluese, siç janë ankorimi periodik i nëndetëseve amerikane të armatosura me armë bërthamore në Korenë e Jugut; forcimi i ushtrimeve të përbashkëta stërvitore; dhe ngritja e një grupi të ri për këshillim bërthamor.
Biden ka paralajmëruar në mënyrë të prerë se çdo sulm bërthamor i Koresë së Veriut ndaj SHBA-së ose aleatëve të saj do të “rezultojë në fundin e çfarëdo regjimi” të ndërmarrë një veprim të tillë./REL/