Japonia do të vendosë sanksione shtesë ndaj Rusisë pasi samiti i Grupit të Shtatë (G7) që vendi priti javën e kaluar ra dakord për të rritur masat për të ndëshkuar pushtimin e Ukrainës nga Moska, tha të premten kryesekretari i kabinetit të kryeministrit japonez Hirokazu Matsuno.
Të enjten, Matsuno, zëdhënësi kryesor i qeverisë së Tokios, kritikoi veprimin e fundit të Rusisë për vendosjen e armëve bërthamore taktike në Bjellorusi, duke deklaruar se do të përshkallëzonte edhe më tej situatën rreth pushtimit të Ukrainës.
“Si i vetmi vend që ka pësuar bombardime bërthamore gjatë kohës së luftës, Japonia nuk e pranon kurrë kërcënimin bërthamor të Rusisë, e lëre më përdorimin e tij”, tha Matsuno në një konferencë të rregullt për shtyp.
Udhëheqësit e G7, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Gjermaninë dhe Francën, javën e kaluar treguan vendosmërinë e tyre për të mbështetur Ukrainën me ndihma ushtarake shtesë dhe sanksione ndaj Rusisë, në samitin vjetor të mbajtur në Hiroshimë.
Në një veprim të koordinuar me G7, Japonia do të ngrijë asetet e 78 grupeve dhe 17 individëve, duke përfshirë oficerë të ushtrisë në Rusi dhe do të ndalojë eksportet në 80 entitete ruse, si laboratorët kërkimorë të lidhur me ushtrinë.
Japonia do të ndalojë gjithashtu ofrimin e shërbimeve të ndërtimit dhe inxhinierisë për Rusinë, megjithëse detajet e masës do të shpallen në një datë tjetër, tha një deklaratë e ministrisë së tregtisë.