BotaLajme

Emigrantët me gomone refuzojnë ndihmën e Francës

Një incident i pa dëgjuar më parë ka ndodhur në kanalin Anglez, teksa 50 emigrantë që ndërmorën kalimin e rrezikshëm me gomone kanë refuzuar ndihmën nga roja bregdetare franceze.

Ata shmangën tentativën për shpëtim nga marina franceze duke thënë: “Ne duam vetëm ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar!”.

Gomonia e mbushur me emigrantë u pa për herë të parë pranë Boulogne pak para agimit.

Luftanija franceze “Formentin” e gjurmoi gomonen në Kanalin Anglez për më shumë se katër orë në det të trazuar, por pavarësisht se jeta e tyre ishte në rrezik, emigrantët refuzuan të shpëtoheshin prej tyre.
‘Formentin’ më pas ra në kontakt me anijen ‘Ranger’ të Forcave Kufitare britanike në orën 07:00 të mëngjesit për t’i njoftuar se emigrantët donin vetëm “ndihmë nga Mbretëria e Bashkuar”.

Kapiteni francez u dëgjua të thoshte në radio: “Ne i pyetëm emigrantët në gomone nëse kanë nevojë për ndihmën tonë. Ata më thonë se duan vetëm ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar. Por janë shumë të axhituar në gomone”.

Pavarësisht se gomonia ishte ende në ujërat franceze, ‘Ranger’ doli nga porti i Dover për t’i marrë.
Një oficer britanik tha: “E kuptoj. Ata janë duke pritur për ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar. Ne jemi gati për të realizuar operacionin e shpëtimit“.

Në një operacion që zgjati dy orë, ‘Ranger’ lundroi përgjatë bregut të Kentit për të transportuar emigrantët më pas në Britani.

Por mbrëmë Adam Holloway, një deputet konservator në komitetin e Punëve të Brendshme, i tha Sun: “Nuk jam i befasuar që emigrantët u thanë francezëve se ku donin të shkonin. Ata e dinë se nëse do të merren nga Britania, do të kalojnë vite duke pritur që të shqyrtohet çështja e tyre e azilit dhe prej asaj kohe do të jenë stabilizuar me jetën e tyre këtu”.

Ndërkohë, i irrituar ka reaguar ish-udhëheqësi i Ukip, Nigel Farage, duke shpërthyer kundër marrëveshjes Sunak-Macron për ndaljen e valës së emigrantëve të paligjshëm në kanalin Anglez.

“Pse po i paguajmë francezëve gjithë këto para? Ata duhet të bëjnë punën e tyre”, tha ai.

Show More

Related Articles

Back to top button