Kompania izraelite “Terror Alarm”, në një postim në rrjetin social, Facebook, mbrëmjen e së hënës ka thënë se “Grupi terrorist Wagner është nisur për në Kosovë”.
Kompania që ka lëshuar këtë njoftim është e njohur për paralajmërimet e autoriteteve për sulmet terroriste dhe parandalimin e shumë prej tyre në kulmin e sulmeve të ISIS në Evropë të viteve 2014-2017, raporton KP.
Sipas “Terror Alarm”, informacioni është siguruar nga OpenSource Intelligence, përkatësisht nga monitorimi i kanalit të PMC Wagner në Telegram.
Postimi në llogarinë e Twitter-it, “Terror Alarm” erdhi pas eskalimit të situatës në Zveçan, ku grupe kriminale serbe sulmuan KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, me ç’rast mbetën të plagosur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it.
Një ditë më herët, ushtarët e KFOR-it u përleshën me protestues serbë që refuzuan t’i binden thirrjes së misionit paqeruajtës për t’u larguar nga hapësira pranë komunës së Zveçanit.
Që nga e premtja, serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar kundër kryetarëve të rinj të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.