LajmeRajon

Kurti për CNN: Nuk do t’ia dorëzoj Kosovën milicive fashiste që admirojnë Putinin

Situata e tensionuar në Veri të Kosovës, ku protestuesit serbë kanë sulmuar trupat e KFOR-it, mediat dhe Policinë Speciale gjatë protestave kundër vendosjes në zyra të kryekomunarëve të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, ishte tema e një interviste të kryeministrit Albin Kurti për CNN International, mbrëmjen e sotme.

Edhe pse i vendosur në qendër të kritikave nga faktori ndërkombëtar i stacionuar në Prishtinë, Kurti u shpreh i bindur se “Republikën e Kosovës  nuk do ia dorëzojë milicive fashiste”, duke iu referuar turmave të serbëve të dhunshëm në Veri.

Ai u shpreh se po punon ngushtë me faktorin ndërkombëtar, “veçanërisht me SHBA dhe BE, të cilët i konsiderojmë miqtë më të rëndësishëm”.

“Të gjithë faktorët ndërkombëtarë i kanë njohur zgjedhjet që janë mbajtur më 23 prill. Kur e njeh procesin dhe rezultatet, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në komuna. Kush tjetër duhet të jetë aty, nëse jo kryetarët. Po punojmë ngushtë me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në e BE-në, që i konsiderojmë aleatë shumë të vlefshëm, e partnerë. Do të bëjmë më të mirën. Por, nuk do ta dorëzoj Republikën demokratike te milicia fashiste”, tha Kurti.

Kurti, ka folur për vendosjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në objektet e komunave të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit duke theksuar se numri i tyre duhet të rritet përderisa jashtë ka shumë pjesëtarë të grupeve kriminale dhe të strukturave paralele të Serbisë.

“Policia duhet të jetë si në çdo komunë tjetër e pranishme edhe në komunat veriore. Nuk mund të ketë vetëm një numër të policëve jashtë (ndërtesave të komunave) të cilët duhet të zbatojnë ligjin dhe të krijojnë siguri, kur ka numër të madh të shtuar të grupeve kriminale dhe strukturave paralele të Serbisë në atë zonë”, u shpreh kryeministri kosovar.

Më tej gjatë intervistës ai tha se ka prova si video e foto që tregojnë se në mesin e protestuesve serbë ka ultranacionalistë që paguhen nga Serbia, të cilët e admirojnë Vladimir Putinin.

“Nuk kemi të bëjmë me protestues paqësor, por me banda kriminele, ekstremistë, ultranacionalistë të krahut të djathtë, që po paguhen e urdhërohen nga Beogradi, e të cilët admirojnë Putinin. Është milici fashiste, që sulmoi policët tanë, KFOR-in, e po ashtu gazetarët në terren. Nuk është e mundur të mos kesh kryetarë në komuna. Pushteti në Kosovë nuk fitohet me bomba molotov, krime apo dhunë, por fitohet me zgjedhje”, theksoi Kurti.

Show More

Related Articles

Back to top button