Kryeministri Albin Kurti tha se rrugëdaljen nga tensionet në veri e sheh në një “rrugë të drejtë me dy shirita”.
Sipas tij, fillimisht duhet të tërhiqen huliganët nga rrugët e pastaj të ulet numri i policisë së pranishme në veri, dhe në të njëjtën kohë të avancohet me implementimin e marrëveshjes.
“Po punojmë shumë të gjejmë rrugëdaljen. S’duhet të jetë rrugë e lakuar, por me dy vija. E para, të dilet nga kriza me sundim të ligjit, huliganët në Serbi ose në burg në Kosovë, e më pas ulja e numrit të policisë dhe normalizim të situatës dhe implementim i shpejtë, i plotë, pa shtyrje e pa kushte i marrëveshjes së Brukselit”, tha Kurti në Forumin e Bratislavës.
Kurti e bëri të qartë se misioni i NATO-s është i pazëvendësueshëm për sigurinë dhe mbrojtjen e shtetit të Kosovës.
Në Forumin e Sigurisë në Sllovaki, Kurti tha se ka koordinim e komunikim me NATO-n, por kjo sipas tij, nuk do të thotë se pajtohen me çdo gjë.
“Siç e dini, ne e kemi NATO-n në Kosovë që nga gjenocidi dhe e konsiderojmë të pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen. Jemi në kontakt të rregullt me NATO-n. Ka koordinim e komunikim, por jo që pajtohemi gjithmonë në çdo gjë. Sikur në këtë rast. Ndërtesat u takojnë Republikës. E kuptoj se s’duhet të ketë shumë policë brenda, por s’duhet të ketë paraprakisht dhunë jashtë. Patë njerëzit duke sulmuar KFOR-in e policët tanë. 30 të lënduar, ka dhjetëra përgjegjës, por s’janë në burg. Ata duhet të burgosen”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale.
Një gjë e tillë është kërkesë e protestuesve serbë që i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, por edhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili thotë se ky veprim do t’i ulte tensionet.
“Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele”, tha Kurti, duke iu referuar strukturave paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës që nga paslufta.
“Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë”, tha Kurti