LajmeMaqedoniRajon

Zbardhet përmbajtja e propozimit francez, 4 kushte për konferencën ndërqeveritare

Mësohen detajet e katër kërkesave kryesore bullgare për thirrjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare në Bruksel dhe Shkup. Agjencia BGNES ka publikuar Protokollin dypalësh, gjegjësisht udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë, të cilin e kanë përgatitur Ministritë e Jashtme të dyja vendeve dhe që ende nuk është nënshkruar. Së pari është theksuar kërkesa për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut merr përsipër që para Konferencës së Parë Ndërqeveritare të përfundojë procedurat e duhura dhe t’i përfshijë në Kushtetutën e saj qytetarët e saj, të cilët jetojnë në territorin e vendit dhe janë pjesë e popullit bullgar”.

Në lidhje me gjuhën e urrejtjes, të dyja palët do të angazhoheshin për masa kundër propagandës që i dëmton marrëdhëniet dypalëshe.

“Palët e konfirmojnë angazhimin e tyre për të ndërmarrë veprime kundër gjuhës së urrejtjes dhe i caktojnë Ministritë e Punëve të Jashtme si institucione kontakti për identifikimin e përbashkët të rasteve të tilla në mbishkrimet e godinave dhe monumenteve publike, tekstet shkollore dhe programet mësimore, si dhe në media (përfshirë ato online dhe mediet sociale)”.

Protokolli i publikuar parashikon që Komisioni i Përbashkët për Çështjet Historike të mblidhet tetë deri në dhjetë herë në vit dhe se ajo që është harmonizuar deri më tani si tekst mes historianëve do të publikohet menjëherë. Historianët deri më tani kanë rënë dakord për kremtim të përbashkët për Car Samuilin, vëllezërit e shenjtë Kirili dhe Metodi, si dhe për Shën Klementin dhe Shën Naumin.

“Të dyja palët duhet të bien dakord për një kalendar të përbashkët vjetor për vitin 2022 dhe 2023 për përkujtimin e përbashkët të ngjarjeve dhe personaliteteve të përbashkëta historike, për të cilat tashmë është rënë dakord nga Komisioni i Përbashkët Multidisiplinar i Ekspertëve për Çështjet Historike dhe Arsimore. Nëse ka vullnet politik, të dy vendet do të kremtojnë ngjarje dhe personalitete të tjera të përbashkëta historike”.

Kërkesa e katërt ka të bëjë me viktimat e regjimit komunist dhe Protokolli e detyron Qeverinë e Maqedonisë që të kërkojë falje për represionet e bëra, siç thuhet, regjimi komunist jugosllav ndaj qytetarëve me vetëdije bullgare./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button