Nëpërmjet këtij emaili, ju njoftojmë për katastrofën ekologjike e cila kryhet nga Parku Nacional i Mavrovës në rajonin e Rekës së Epërme, gjegjësisht në Malin Menik – rruga që të çon drejt fshatrave Nivishtë, Tanushë, Zhuzhnjë, Nistrovë, Bibaj, Grekaj dhe Rimnicë.
Që nga dhjetori i vitit kaluar kur ndodhën vërshimet e dëmtuan ura dhe rruga që të çon në këto fshatra institucionet nuk treguan përgjegjësi. Si rezultat i neglizhencës institucionale u themelua edhe shoqata për zhvillim rural ” Rilindja e Rekës së Epërme ”.
Më datë 27 Prill 2023 shoqata realizoi takim me Parkun Nacional të Mavrovës dhe Komunën e Mavrovës dhe Rostushës ku u morr vendim që të gjitha palët të japin do të punojnë në sanimin e dëmeve si dhe Parku Nacional i Mavrovës për çdo ndërhyrje do të konsultohet me shoqatën dhe bashkësitë lokale.
1.Por, kjo gjë nuk po respektohet nga Parku Nacional i Mavrovës i cili aktualisht po kryen masakër ekologjike.
2.Parku Nacional i Mavrovës po kryen prerje të pakontrolluar të drunjëve në një zonë të mbrojtur poashtu bën hapje rruge në mal për të siguruar kushte për kompani e cila tashmë poashtu ka filluar me prerjen e drunjëve për ngrohje. Në këtë zonë kemi disa shkelje edhe atë:
1.Prerja e drunjëve pa kontroll bëhet në toka private dhe pa njoftim tek pronarët
2.Në këtë zonë gjendet ” Proi i Thellë i Korabit” i cili është i mbrojtur nga UNESCO dhe për shkak të moskontrollit ka gjasa që ta humb këtë status.
3.Punëtorët të cilët kryejnë punimet nuk janë të paraqitur nga punëdhënësi, poashtu ka nga të tillë të cilët janë me status qëndrimi ilegal në Maqedoninë e Veriut.
- Dëmtim i biodiversitetit kombëtarë dhe ndërkombëtarë.
5.Nuk respektohet kërkesa dhe marrëveshja e datës 27 Prill ku palët u dakorduan për mirëmbajtje, rregullim dhe revitalizim të rrugës aktuale me qëllim të mos dëmtohet natyra.
- Parku Nacional i Mavrovës si institucion i obliguar është jashtë çdo kornize ligjore të funksionimit siç është e përcaktuar, siç vijon në pikat e mëposhtme:
- ruajtjen e gjendjes autentike të natyrës përmes mbrojtjes së vlerave natyrore,
- krijimin e kushteve më të favorshme për mirëmbajtjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave natyrore,
- parandalimin e veprimeve që mund të ndryshojnë drejtpërdrejt ose indirekt gjendjen e vlerave natyrore,
- mirëmbajtjen dhe menaxhimin e parkut kombëtar,
-me qëllim të mbrojtjes së natyrës përmes mbrojtjes së diversitetit biologjik dhe peizazhit dhe trashëgimisë natyrore, dhe
- rregullimin e qëndrimit të njeriut ndaj natyrës, në mënyrë që të ruhet gjendja autentike e parkut kombëtar.
Të gjitha këto pika të lartëpërmendura potencohen në Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës, paragrafi (1) dhe paragrafi (2) si dhe në projektin Ligjin për Shpallje të Mavrovës Park Nacional.
Poashtu, pavarësisht reagimit tonë edhe deri në Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit ata nuk kanë kthyer përgjigje, por në postimin e tyre në facebook kanë justifikuar veprimet e Parkut Nacional të Mavrovës.
Një pikë tjetër e rëndësishme, tregon edhe për përfaqësimin e shqiptarëve në Parkun Nacional ku në njoftimin e parkut do të vëreni se nuk ka asnjë shqiptarë. Të gjithë të etnitetit maqedonas, torbesh dhe turk.
Kërkojmë nga ana juaj, që të tregoni interes për këtë masakër ekologjike që po ndodh në vendin tonë dhe se dëmi i krijuar kalon shifra milionëshe, vetëm që dikush të pasurohet me shitjen e drunjëve për ngrohje. Këto veprime kanë irituar banorët dhe rekasit të cilët tashmë në ditët në vijim do t’ju njoftojmë për bllokimin e rrugës Gostivar – Mavrovë.
Ne, nuk do ta lejojmë që një gjë e tillë të kaloj heshturazi prandaj dhe kërkojmë që të përçoni vërejtjet dhe kërkesat tona tek institucionet dhe opinioni të kuptoj akoma më shumë.
Në ditët në vijim, do të informojmë edhe organizatat europiane për mbrojtje të mjedisit jetësorë, poashtu edhe deputetët e Parlamentit Europian të cilët vijnë nga partitë e gjelbërta, thuhet në njoftimin e shoqatës për zhvillim rural ” Rilindja e Rekës së Epërme” .