Zyra e shtypit e Shtëpisë së Bardhë ka njoftuar se përmes një telefonate, zëvendëskëshilltari amerikan për siguri kombëtare, Jon Finer ia ka shprehur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti shqetësimet e ShBA-së në lidhje me situatën në veri të vendit.
Në njoftim bëhet e ditur se Finer kërkoi nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre në, siç tha ai “lokacione alternative”.
“Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’u mundësojë kryetarëve të sapozgjedhur të komunave që t’i kryejnë detyrat e tyre nga lokacionet alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale. Ai gjithashtu përshëndeti gatishmërinë e kryeministrit Kurti për të krijuar kushte për zgjedhje të reja”, thuhet në njoftim.
Finer gjithashtu ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të zbatohet marrëveshja e arritur në Bruksel dhe Ohër, përcjell Klankosova.tv.
“Finer përsëriti se Shtetet e Bashkuara presin që të dyja palët të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”, thuhet tutje në njoftim.
Tutje, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Finer ka pasur bisedë telefonike edhe me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, nga i cili ka kërkuar që të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe, siç thuhet në njoftim, të ulë gjendjen e gatishmërisë.