Shkolla fillore “Ismail Qemali” në Gostivar ka ndarë mirënjohje dhe lëvdata për nxënësit e saj të cilit gjatë vitit shkollor 2022/23 kanë marrë pjesë dhe kanë shënuar rezultate nëpër gara të ndryshme dhe aktivitete jashta shkollore. Kanë qenë 360 nxënës që ishin përzgjedhur nga udhëheqësia e shkollës, nga gjithsejt 1200, aq sa numëron kjo shkollë. Mirënjohjet dhe lëvdatat janë ndarë nga vetë drejtoresha e shkollës, Shpresa Useini, ku në prani të prindërve dhe mësimdhënësve, ajo ka falenderuar nxënësit për përfaqësimin e denjë që i kanë bërë shkollës brenda qytetit dhe më gjerë.
“Sot në shkollën fillore ‘Ismail Qemali’ ndajmë mirënjohje dhe lëvdata për nxënësit të cilët kanë marrë pjesë në gara komunale, rajonale dhe shtetërore, si dhe në aktivitet tjera shkollore dhe jashta tyre. Numri i nxënësve nga numri i përgjithshëm i shkollës që është 1200, 360 sot përfshihen në grupet për të cilët ndajmë lëvadata dhe mirënjohje. Si drejtoreshë jam tepër e lumtur dhe krenare që sot kam mundësinë t’i ndajë këto mirënjohje pasi që bëhet fjalë për një punë ekipore. Falenderoj shërbimin pedagogjik që në kohë ua ka dhënë të gjitha njoftimet kolegëve për mbajtjen e garave të ndryshme e që pastaj ata me nxënësit kanë bërë aktivitete dhe jashta mësimit që t’i arrijnë këto rezultate që tani i kemi”, deklaron Shpresa Useini, drejtoresh e Sh.F “Isamil Qemali” në Gostivar.
Drejtoresha Useini me aktivitetin e sotëm i ka dhënë fund punës së saj si drejtuese e njërës nga shkollat fillore më të mëdha të Gostivarit. Ajo nga shtatori do të rikthehet në punën e saj të mëparshme si mësimdhënëse te shkolla të cilën e drejtoi tre vite e gjysëm. Largohem me krenari thotë ajo, pasi as pandemia e as sulmet kibernetike, nuk na penguan si ekip të realizojmë projekte me të cilët kemi bërë transformim të tërësishëm të shkollës.
“Kjo periudhë ka qenë e vështirë për shkak se ndodhën shumë gjëra. Pandemia e bëri të veten, pastaj protokollet e ndryshme, ato protokolle edhe mbi sulmet kibernetike këtë vit shkollor, pra jemi ballafaquar si udhëheqësi dhe unë si drejtoreshë me shumë ndryshime të cilat më parë nuk kanë ndodhur. Por, unë jam tepër krenare për atë që kam arritur brenda tre viteve që të bëjmë projekte ndërkombëtare – tre të tilla, jemi kyçur në shumë projekte vendore për të cilat flasin numrat, garat, pjesëmarrja e kolegëve dhe nxënësve. Jam tepër krenare për punën edukative dhe arsimore që është bërë në shkollë, ndërsa për punët e tjera që kanë të bëjnë me përkrahjen nga komuna me investimet që janë bërë në shkollë, unë i falenderohem shumë kryetarit të komunës i cili ka qenë përkrahja jonë e vazhdueshme, pastaj Sektorit për arsim pasi ne bashkë bëmë shumë ndryshime në shkollë. Kemi rinovuar shumë hapësira, kishte investime kapitale të mëdha që nuk ishin bërë që nga ndërtimi i objektit të shkollës para 26 viteve”, deklaron Shpresa Useini, drejtoresh e SH.F “Isamil Qemali” në Gostivar.
Useini largohet nga posti i drejtoreshës duke lënë pas vetes edhe një projekt mjaft madhor për shkollën. Shpreson se udhëheqësia e re do të arrijë ta realizojë me sukses.
“Gjithashtu jam tepër krenare që gjatë kësaj periudhe, këto dy vitet e fundit kaloi edhe projekti për rekonstruim të shkollës me dritare, fasadë dhe dyshemeve. Shpresojë që ai do të realizohet pasi e kishim edhe ministrin, paraprakisht ministreshën dhe janë dakord të gjithë. Projekti ka kaluar nëpërmes Komunës së Gostivarit, Sektorit të arsimit dhe shpresoj se ajo që ka mbetur pa realizuar këtë periudhë së bashku me leximoren që e kam prioritet, do të realizohet”, deklaron Shpresa Useini, drejtoresh e SH.F “Isamil Qemali” në Gostivar.
Ndryshe, shkolla fillore “Ismail Qemali” sivjet ka qenë shkollë në të cilën janë organizuar me dhjetëra aktivitete shkollore. Ajo ishte nikoqire poashtu e dhjetëra garave shkollore komunale dhe rajonale, në të cilat nxënësit e saj treguan rezultate të shkëlqyera.