LajmeRajon

Vuçiqi takohet me gjeneralin amerikan Hokanson, bisedojnë për bashkëpunim në fushën e sigurisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur në takim shefin e Byros së Gardës Kombëtare të SHBA-së, gjeneralin Daniel R. Hokanson, ku ndër të tjera është folur edhe për situatën në veri të Kosovës.

Vuçiq gjatë takimit ka thënë se është i gatshëm ta përmirësojë partneritetin me Ushtrinë amerikane “për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon e më gjerë”.

“Duke folur për zhvillimet e fundit në Kosovë e M., presidenti e informoi më në detaje gjeneralin Hokanson për shkaqet e përshkallëzimit të dhunës dhe në këtë kontekst e falënderoi palën amerikane për angazhimin dhe mesazhet e qarta në qetësimin e tensioneve, të cilat u shkaktuan nga veprimet e njëanshme të autoriteteve të Prishtinës”, është thënë nga Presidenca e Serbisë.

Sipas, Presidencës së Serbisë, Hokanson e ka falënderuar Vuçiqin për “udhëheqjen e tij në një situatë të vështirë, pa të cilin paqja dhe stabiliteti në rajon do të rrezikoheshin”.

“Ai po ashtu theksoi kontributin e madh të Ushtrisë serbe në misionet paqeruajtëse në botë. Me këtë rast u bisedua edhe për mënyra të ndryshme konkrete të bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes”, thuhet nga Presidenca e Serbisë.

Show More

Related Articles

Back to top button