Komisioni Evropian, përmes një non-paper dërguar shteteve anëtare të BE-së lidhur me përmbushjen e kritereve nga Serbia për kapitujt 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim, ka tërhequr vërejtjen se nivele më të larta, në Serbi vazhdon pa pasoja të madhërohen kriminelët e dënuar të luftës dhe atyre u jepet hapësirë publike dhe politike.
Këta dy kapituj përfshijnë sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Përmbushja e kritereve kalimtare në kuadër të kapitujve 23 dhe 24 janë parakushte për Serbinë që të mbyllë cilindo kapitull tjetër në procesin e negociatave, prandaj raportohet rregullisht për përparimin e bërë në përmbushjen e tyre.
Në këtë raport konstatohet se Serbia ka ndërmarrë disa hapa për të përmbushur kriteret, por aty theksohet se ende duhet të punohet në krijimin e vullnetit politik për thellimin e reformave, që të adresohen mungesat në fushat kyçe si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lirisë së mediave dhe në ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës.
Duke rikujtuar obligimet e Serbisë për të bashkëpunuar për krimet e luftës me Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në Hagë, pasi ky mekanizëm ka marrë përsipër vazhdimin e disa proceseve nga Gjykata për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në raport u tha se Serbia nuk ka bashkëpunim të plotë me këtë gjykatë. Veçanërisht, në raport u theksua se ka mungesë të bashkëpunimit në rastet e arrestimeve të personave të akuzuar për pengim të drejtësisë. Po ashtu, u përmend se nga zyrtarët e Serbisë shpesh vihen në pikëpyetje vendimet e gjykatës në Hagë për krime lufte dhe madhërohen kriminelët e dënuar për krime lufte.
“Një numër i figurave të partive politike në Serbi, përfshirë edhe në nivelin e ministrave, vazhdojnë të ofrojnë mbështetje dhe hapësirë publike për kriminelët e dënuar të luftës. Kriminelët e dënuar të luftës vazhdojnë të përhapin gjuhë të urrejtjes në hapësirën publike. Disa politikanë të caktuar vazhdojnë të mohojnë gjenocidin në Srebrenicë, pa pasoja”, u tha në raport.
Gjatë gjenocidit në Srebrenicë të Bosnje e Hercegovinës më 1995, ushtarët dhe policët serbë vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem myslimanë dhe trupat e tyre i varrosën në varreza masive. Kjo ngjarje është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.
Në raportin e Komisionit Evropian po ashtu u përmend edhe bashkëpunimi i Serbisë me shtetet fqinje për rastet e krimeve të luftës dhe shkëmbimin e provave të caktuara. Aty u tha se bashkëpunimi me Kroacinë dhe Kosovën nuk ka sjellë rezultatet e duhura.
Në raport u theksua se Serbia ka dështuar që të përfshijë kompensimin financiar për viktimat e krimeve të luftës në proceset penale.
“Viktimat civile të luftës dhe abuzimeve të të drejtave të tyre mbeten të neglizhuara në aspektin politik, social dhe ekonomik. Dinamika e gjykimit të rasteve të krimeve të luftës në Serbi është ngadalësuar dukshëm në vitet e fundit. Një përkushtim i vërtetë për të adresuar këto raste, përfshirë edhe të dyshuarit e rangut të lartë, duhet të sigurohet”, u tha në raport.
Në dokumentin joformal të Komisionit Evropian po ashtu u tërhoq vërejtja edhe për presionin ndaj mediave në Serbi. Aty u nënvizua se në Serbi i është dhënë hapësirë mediumit RT Balkans (Russia Today) në gjuhën serbe, që të përhapë dezinformata. Ky medium, sikurse agjencia ruse Sputnik, sipas raportit, përhapin narrativët e tyre edhe në ueb-faqet e tyre, por edhe duke përdorur mediat e tjera në Serbi.
Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Russia Today dhe Sputnik pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.