Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk ka marrë asnjë ultimatum nga ndërkombëtarët sa i përket situatës në veri.
Ai ka thënë se në takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, u ka ofruar mënyrën e sigurt për të dalë nga kriza në veri, të cilën ka thënë se e kanë shkaktuar strukturat ilegale të Serbisë.
“Nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi, ne u takuam bashkëbiseduam me emisarët dhe unë kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale…E para është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”, ka theksuar Kurti, në një deklarim për media pas aktivitetit të xhudos që është mbajtur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, ku para qindra nxënësve nga shkollat e kësaj komune xhudistja Majlinda Kelmendi së bashku me shumë xhudistë të tjerë kanë demonstruar sportin e xhudos në kuadër projektit “Kosova shtet i xhudos”.