Lideri i partisë opozitare OBRM-PDUKM, Hristijan Mickoski nga një emision televiziv i bëri ftesë kryeministrit Dimitar Kovaçevski të pranoj zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Ai tha se nëse kryeministri beson se propozimi francez është i mirë për vendin dhe për të ardhmen e qytetarëve, kur të kthehet nga Brukseli le të pranojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat sipas tij do të jenë zgjedhje referendumi ku do të vendosin qytetarët, jo zgjedhje për pushtet.
“Nëse Dimitar Kovaçevski beson se ky është një propozim i mirë, nëse e do vendin dhe popullin e tij, le të vijë nga Brukseli dhe t’u thotë: “O popull, unë do të ulem me opozitën dhe do të organizoj zgjedhje të parakohshme në tetor ose nëntor, dhe merr fund kjo punë. Është një propozim i mirë për të ardhmen, opozita do të sulmojë, por le të vendosë populli, në referendum”. Këto nuk janë zgjedhje për pushtet, janë zgjedhje referendumi”, u shpreh Mickoski.
Ndryshe, në rast se Maqedonia e Veriut pranon propozimin francez, disa parti nga koalicioni qeverisës mbrëmë kanë deklaruar se do të japin dorëheqje nga shumica parlamentare.