Mijëra njerëz po vuajnë pasojat e përmbytjeve në rajonin e Khersonit, në Ukrainë, pas shkatërrimit të digës në Kakhovka. Presidenti Zelenskyy pa nga afër disa zona të përmbytura, ndërsa kërkoi ndihmën e organizatave ndërkombëtare që të vepronin në zonat që kontrollohen nga frocat ruse. Sipas ekspertëve shembja e digës në një zonë që Moska e ka kontrolluar për më shumë se një vit dhe zbrazja e rezervuarit ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme peisazhin në zonë si dhe ka ndryshuar dinamikën e luftës 15-mujore.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy vizitoi të enjten rajonin e Khersonit, ku mijëra njerëz po vuajnë pasojat nga përmbytjet pas shkatërrimit të digës në Kakhovka. Në një video të postuar në rrjetin Telegram, presidenti ukrainas diskuton me zyrtarët e tjerë për evakuuimet, mundësitë që të rindërtohet pjesa e shkatërruar e digës si dhe situata ushtarake në zonë.
“Ne kemi nevojë për ndihmë nga organizatat ndërkombëtare, si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, që t’i bashkohen menjëherë operacionit të shpëtimit dhe të ndihmojnë njerëzit në pjesën e pushtuara të rajonit Kherson. Çdo person që vdes atje është përgjegjësi e organizatave ndërkombëtare që kanë harruar si të shpëtojnë jetë. Nëse tani nuk ka asnjë organizatë ndërkombëtare në zonën e kësaj fatkeqësie, do të thotë se ajo nuk ekziston fare, ose është e paaftë për të funksionuar”, tha presidenti i Ukrainës gjatë një fjalimi.
Pas shkatërrimit të digës dhjetëra fshatra janë të përmbytura dhe nuk ka asnjë shenjë jete. Rusia akuzoi Ukrainën për bombardimin e strukturës, e cila ishte nën kontrollin e Moskës, ndërsa Kievi pretendon se Rusia e hodhi në erë nga brenda.
Shembja e digës në një zonë që Moska e ka kontrolluar për më shumë se një vit dhe zbrazja e rezervuarit ka ndryshuar në mënyrë të pakthyeshme peisazhin në zonë si dhe ka ndryshuar dinamikën e luftës 15-mujore, thonë ekspertët.
Në dy fshatra, që janë pranë pranë digës dhe që ishin nën kontrollin e forcave ruse, Dnipryany dhe Korsunka, uji ka arritur deri në çatitë e shtëpive.
Pavarësisht akuzave të ndersjella ekspertët thonë se struktura ishte në gjendje të keqe, gjë që gjithashtu mund të ketë çuar në shembjen e saj. Sipas tyre në zonë nuk kishte shenja tipike të një sulmi me raketa.
Lumi Dnieper është pjesë e vijës së parë të luftës dhe shumë njerëz tashmë ishin larguar nga zona për shkak të luftimeve. Ukraina mban bregun perëndimor, ndërsa Rusia kontrollon anën lindore më të ulët, e cila është prekur më shumë nga përmbytjet./ VOA/