Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka shkruar në “Facebook” për vizitat e tij në Prishtinë dhe Beograd.
Ai vizitoi Kosovën dhe Serbinë bashkë me Gabriel Escobar, përfaqësuesin amerikan për Ballkanin Perëndimor. Në kohën kur veriu i Kosovës po përballet me krizë politike dhe atë të sigurisë.
E për këto vizita, Lajçak thotë se ka shpresuar më shumë. Sidoqoftë, për gjithçka thotë se do t’iu raportojë vendeve të BE-së.
“Pas disa ditësh në rrugë jam kthyer në Brukselin me diell. Këtë javë, vizitova Prishtinën dhe Beogradin së bashku me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së dhe të dërguarin e Ballkanit Perëndimor Gabriel Escobar. Udhëtuam në rajon me qëllim që të adresojmë situatën e tensionuar në veri të Kosovës të cilën e kemi parë të gjithë gjatë javës së fundit dhe të eksplorojmë potencialin për një zgjidhje politike”, ka shkruar fillimisht Lajçak.
Më pas ka shkruar për takimet që i ka zhvilluar në Prishtinë, me përfaqësuesit institucionalë dhe ata të opozitës.
“Në Kosovë u takuam me lidershipin më të lartë duke përfshirë presidentin Osmani, kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin e parë Bislimi. Diskutimi ynë ishte i gjatë. Ne përcollëm shqetësimet tona për situatën në veri dhe theksuam nevojën për deeskalim të menjëhershëm. Ne ripërsëritëm atë që BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar nga palët të bëjnë kur bëjnë thirrje për një zgjidhje politike: deeskalim të menjëhershëm, zgjedhje të parakohshme me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës dhe kthim në Dialog për normalizim. Ne kontaktuam edhe liderët e opozitës shqiptare të Kosovës, duke shpjeguar pasojat e krizës aktuale dhe dëmin që ajo shkakton në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Ne u kërkuam atyre mbështetjen e tyre për një zgjidhje politike për të zbutur tensionet”, ka shkruar tutje Lajçak.
Po ashtu, raporton edhe për takimin që e ka pasur me Listën Serbe, duke thënë se janë përfaqësuesit e palës së prekur.
“Pasi që asnjë zgjidhje nuk mund të arrihet pa përfshirë popullatën e prekur, DAS Escobar dhe unë u takuam me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të shoqërisë civile, për të dëgjuar prej tyre dhe për të shpjeguar pse është e rëndësishme që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e reja”.
Më pas, Lajçak ka treguar për vizitën që e ka pasur në Beograd, duke treguar për takimet që pati atje bashkë me Escobarin./21Media