BotaLajme

Macroni i gatshëm për kompromise të brendshme

Rezultati i zgjedhjeve parlamentare në Francë pasqyron përçarjet dhe humnerat në këtë vend, deklaroi kreu i shtetit Emmanuel Macron në një fjalim televiziv pas zgjedhjeve parlamentare. Tashmë janë të nevojshme “kompromise të reja përmes dëgjimit mes palëve, dialogut dhe respektit”. “Kjo nuk do të thotë se duhet të qëndrosh në vend, sepse marrëveshjet duhet të arrihen në kohën e duhur.”

Macron ka takuar ditët e kaluara përfaqësuesit e palëve më të rëndësishme për bisedime kokë më kokë. “Të gjithë më kanë siguruar për respektin ndaj institucioneve tona. Ata duan të parandalojnë një bllokadë të vendit”, tha presidenti. Ekziston një vullnet “për të bërë përparim në çështje të rëndësishme dhe urgjente”. Megjithatë, shumica e bashkëbiseduesve të tij e kanë përjashtuar një qeveri të unitetit kombëtar.

Macroni pa shumicën absolute

Ky ishte reagimi i parë publik i Macron ndaj rezultateve të zgjedhjeve të ditës së dielë, në të cilat aleanca e tij qendrore “Ansambli” humbi shumicën absolute. “Si në shumicën e demokracive perëndimore, si Gjermania apo Italia dhe shumë vende të tjera, asnjë forcë politike nuk mund të miratojë tani as në Francë ligjet e vetme,” e shpjegoi ai situatën. Synimi i tij tani është të bëjë një marrëveshje koalicioni ose të gjejë “shumicë në varësi të tekstit ligjor”. “Duhet të mësojmë të qeverisim ndryshe dhe të bëjmë ndryshe ligjet”, theksoi 44-vjeçari.

Në të njëjtën kohë, Macron e bëri të qartë se nuk donte të devijonte nga pikat thelbësore të programit të tij. Ai përmendi ligjet e planifikuara për fuqinë blerëse, mjedisin, klimën dhe çështjet shëndetësore. “Këto projekte nuk do të financohen nga ngritja e tatimeve apo me borxhe më të larta”, siguroi ai. Macron nuk përmendi reformën e diskutueshme të pensioneve, për të cilën po përballet me kundërshtime të forta si nga populistët e djathtë ashtu edhe nga ata të majtë.

Show More

Related Articles

Back to top button