Kristjan Asllani bashkohet me kombëtaren shqiptare, ndërsa ishte në radhët e Interit në sfidën për titullin e Ligës së Kampionëve kundër Man. Siti. Mesfushori 20-vjeçar ishte në stol në duelin e humbur në Stamboll, ndërsa pasi pushoi të dielën, vendosi të vihej nën urdhërat e trajnerit Silvinjo.
Bashkë me të, me ekipin do të bashkohet edhe Jasir Asani, sulmuesi i krahut që luan në një kampionat të largët si ai i Koresë së Jugut. Tashmë, trajneri brazilian e ka grupin të plotë, ndërsa të shtunën luhet sfida e parë ndaj Moldavisë në “Arenën Air Albania”. Kombëtarja shqiptare, është pranë dy ndeshjeve të tjera eliminatore të Kampionatit Europian, pas humbjes minimale 0-1 në Poloni, ndërsa synohen 6 pikët kundër Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Natyrisht, që Shqipwria ka mungesa si: Kumbulla, Broja, Manaj, Gjasula dhe Balliu. Shqetësim më vete mbetet porta me Strakoshën e Berishën që nuk kanë luajtur thuajse fare këtë sezon, ndërsa shpresohet tek Kastrati e Simoni. Kombëtarja ka pasur ngarkesë të lartë gjatë seancave stërvitore, ndërsa besohet se Silvinjo e ka të qartë sesi do të duhet të luajë ndaj moldavëve. Flitet për një skemë 3-4-3, pra për të hequr një lojtar nga mbrojtja e për të forcuar mesfushën.
Shqipërisë i duhen 6 pikët për të vazhduar synimet për kualifikim në grupin tonë eliminator ku Polonia dhe Çekia janë skuadrat më të forta, dhe ku për në fazën finale kualifikohen vetëm dy ekipe.