BotaLajme

ShBA-ja rikthehet në UNESCO për të kundërshtuar ndikimin kinez

Agjencia kulturore dhe shkencore e OKB-së, UNESCO, njoftoi të hënën se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të rikthehen në këtë agjenci dhe të paguajnë më shumë se 600 milionë dollarë detyrime të prapambetura – pas një mosmarrëveshjeje dhjetëvjeçare të shkaktuar nga masa e organizatës për të përfshirë Palestinën si anëtare.

Zyrtarët amerikanë thanë se vendimi për t’u kthyer ishte i motivuar nga shqetësimi se Kina po plotëson boshllëkun e lënë nga SHBA në politikëbërjen e UNESCO-s, veçanërisht në vendosjen e standardeve për inteligjencën artificiale dhe edukimin teknologjik në mbarë botën.

Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard Verma, i dërgoi një letër javën e kaluar Drejtorit të Përgjithshëm të UNESCO-s, Audrey Azoulay, duke zyrtarizuar planin për t’u ribashkuar.

Duartrokitjet shpërthyen në auditorin solemn të UNESCO-s teksa Azoulay u njoftoi planin ambasadorëve në një takim të posaçëm të hënën, dhe delegat u ngritën për të mirëpritur lajmin.

Kthimi i SHBA-së, dikur financuesi më i madh i agjencisë, pritet të përballet me një votim nga 193 shtetet e saj anëtare muajin e ardhshëm, sipas një diplomati të UNESCO-s.

Vendimi është një nxitje e madhe financiare për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, e njohur për programin e saj të Trashëgimisë Botërore, si dhe për projektet për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për t’i mësuar vajzat shkrim-lexim.

SHBA dhe Izraeli ndaluan financimin e UNESCO-s pasi ajo votoi për përfshirjen e Palestinës si shtet anëtar në 2011, dhe të dy vendet humbën të drejtat e tyre të votës në 2013.

Administrata Trump vendosi në vitin 2017 të tërhiqej krejtësisht nga agjencia.

Në letrën e tij javën e kaluar, Verma vuri në dukje përpjekjet e UNESCO-s drejt reformës së menaxhimit dhe “uljes së debatit të politizuar, veçanërisht për çështjet e Lindjes së Mesme”.

Që nga zgjedhja e saj në 2017, Azoulay ka punuar për të adresuar arsyet e largimit të SHBA-së, përmes reformave buxhetore dhe ndërtimit të konsensusit midis diplomatëve jordanezë, palestinezë dhe izraelitë rreth rezolutave të ndjeshme të UNESCO-s.

Vendimi i SHBA-së për t’u rikthyer “është rezultat i pesë viteve të punës, gjatë së cilës ne qetësuam tensionet, veçanërisht në Lindjen e Mesme, përmirësuam përgjigjen tonë ndaj sfidave bashkëkohore, rifilluam nismat kryesore në terren dhe modernizuam funksionimin e organizatës”, tha Azoulay për Associated Press.

Sipas planit, qeveria amerikane do të paguajë detyrimet e saj për vitin 2023 plus 10 milionë dollarë kontribute bonus këtë vit të destinuara për edukimin e Holokaustit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Ukrainë, sigurinë e gazetarëve dhe edukimin shkencor dhe teknologjik në Afrikë, thuhet në letrën e shkruar nga Richard Verma.

Administrata Biden ka kërkuar tashmë 150 milionë dollarë për buxhetin e vitit 2024 për të paguar detyrimet e prapambetura të UNESCO-s.

Plani parashikon kërkesa të ngjashme për vitet në vijim derisa të shlyhet borxhi i plotë prej 619 milionë dollarësh.

Kjo përbën një pjesë të madhe të buxhetit operativ vjetor prej 534 milionë dollarësh të UNESCO-s.

Përpara largimit, SHBA-ja kontribuoi me 22% të financimit të përgjithshëm të agjencisë.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën edhe më parë nga UNESCO nën administrimin e presidentit Regan në vitin 1984 sepse e shihnin agjencinë si të keqmenaxhuar, të korruptuar dhe të përdorur për të çuar përpara interesat sovjetike.

SHBA iu ribashkua organizatës në vitin 2003. 

Show More

Related Articles

Back to top button