Presidenti Bajaram Begaj ka mbledhur ditën e sotme Këshillin e Sigurimit Kombëtar, ku në fokus të diskutimit do të jenë sulmet kibernetike.
Në këtë mbledhje mungon kryeparlamentarja Lindita Nikolla, ndërsa Begaj fjalën e tij tha se është koha që të bëhet një analizë së çfarë është bërë deri më tani dhe se sa e përgatitur është Shqipëria në përballje me sulme të mundshme.
Po ashtu në mbledhje po flitet edhe për kërcënimet që vijnë nga Irani në formën e propagandës dhe në forma hibride
Një vit më parë ne u përballëm me sulme shumë të rënda, komplekse dhe të sofistikuara kibernetike të ndërmarra, financuar dhe mbështetur nga struktura të caktuara qeveritare të Republikës Islamike të Iranit. Këto sulme synuan shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Republikës së Shqipërisë dhe pengimin e ofrimit të shërbimeve qeveritare online për qytetarët, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona, AKSHI dhe AKCESK, në bashkëpunim me partnerët strategjikë dhe Mikrosoft arritën që të zbulojnë, të ndalojnë dhe të identifikojnë aktorët që ndërmorën këto sulme, duke bërë që të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre. Masat e marra nga institucionet tona ishin të menjëhershme dhe gjithpërfshirëse.
Ata filluan me mbrojtjen emergjente dhe vijojnë me krijimin e kapaciteteve, si dhe me sigurimin e një mbrojtjeje kibernetike të qëndrueshme. Vlerësoj maksimalisht punën e bërë nga institucionet, të cilët në bashkëpunim me partnerët strategjikë, si SHBA, BE, NATO dhe me vende të tjera partnere e aleate, kanë bërë për arsimimin trajnimin dhe ndërgjegjësimin e specialistëve, ekspertëve dhe të të gjithë përdoruesve të cilët kanë akses në sisteme teknologjike dhe informacioni, me fokus të veçantë infrastrukturat kritike dhe infrastruktuat e rëndësishme të informacionit.
Ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve moderne dhe të avancuara nga pikëpamja teknologjike në funksion të forcimit të mbrojtjes kiberentike. Nga ana tjetër, pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe të financuar nga Republika Islamike e Iranit, e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Sulmet kibernetike janë shtuar në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuara dhe më komplekse duke rritur shkallën e vështirësisë së përballimit të tyre.
Kam thirrur këtë mbledhje sot për të bërë një analizë të gjendjes aktuale të sigurisë kibernetike, si dhe për të diskutuar për sfidat dhe kërcënimet me të cilat po përballemi. Gjithashtu, pothuaj një vit pas sulmeve shkatërrimtare është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme dhe ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike.
Sfidat që po kalojmë sot janë me spektër të gjerë. Në këtë takim të sotëm, krahas sigurisë kibernetike ne do të diskutojmë edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare, të cilat janë kryesisht të lidhura me kërcënimet që vijnë nga Irani, qofshin këto në formën e propagandës, kërcënimeve diplomatike apo me natyrë hibride. Për të informuar më hollësisht Këshillin e Sigurimit Kombëtar lidhur me gjendjen e sigurisë kibernetike dhe për masat e marra për parandalimin, neutralizimin dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, kam ftuar Drejtorin e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike (AKCESK), z. Igli Tafa, si dhe Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), zj. Mirlinda Karçanaj.