LajmeRajon

Vuçiqi, Shesheli dhe lidhjet mes tyre që ‘nuk po shkëputën kurrë’ – analizë për marrëdhëniet mes presidentit të Serbisë dhe ‘babait të tij politik’

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, fundjavën që shkoi ishte në festën e të dënuarit për kriminel lufte dhe “babait të tij politik”, Vojisllav Sheshel.

Bëhet fjalë për një video e cila më 12 qershor u bë virale në rrjetet sociale dhe e cila thuhej se ishte bërë në një restorant në Beograd, në të cilën Vuçiq shihej ulur në shoqërinë e Sheshelit teksa këndoheshin këngë çetnike.

Në të njëjtën ditë, Vuçiq ka thënë për mediat serbe se ishte në festën e dasmës së djalit të Sheshelit, edhe pse, siç tha ai, ata kanë “politikë të ndryshme”.

“Nuk më vjen turp që shkova të uroj për dasmën e tyre”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur kritikave të publikut në Serbi dhe në rajon.

Ai shtoi se askush nuk do t’i thotë “nëse do të heqë dorë nga dikush që pagëzoi djalin dhe vajzën e tij të madhe”.

Por, siç thuhet në një analizë të Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe, lidhjet private dhe politike të Aleksandar Vuçiqit dhe Vojislav Sheshelit datojnë që nga vitet e nëntëdhjeta të luftës, kur ata ishin së bashku në Partinë Radikale Serbe.

Politika e bashkimit të “të gjitha vendeve serbe” në të ashtuquajturën Serbi e madhe, fjalimet luftarake dhe organizimi i njësive paraushtarake e çuan Sheshelin në bankën e të akuzuarve të gjykatës ndërkombëtare.

Mediumi në fjalë kujton faktin se Vuçiq u nda me Sheshelin në vitin 2008, kur presidenti aktual i Serbisë formoi Partinë Progresive Serbe.

Ata kaluan nga bashkëpunëtorët e tyre më të afërt, përmes akuzave dhe ofendimeve të ndërsjella, në mbështetjen publike të Sheshelit për politikën e sotme të Vuçiqit.

Çfarë u këndua në festën e Sheshelit?

Duke folur për këngën që lavdëron komandantin çetnik Pavlo Gjurishiq, e cila shoqëron videon e festës, Vuçiq tha për mediat serbe se “ai nuk është redaktor muzikor që të zgjedhë muzikën”.

Megjithatë, mediat në rajon kanë reaguar ndaj videos së Vuçiqit dhe Sheshelit duke u shoqëruar me këngë çetnike, si dhe ministri kroat i Mbrojtjes, Tomo Medved.

Ai deklaroi se Vuçiq duhet “i përkushtohet situatës në Serbi dhe çështjeve që kanë të bëjnë me Serbinë”.

Show More

Related Articles

Back to top button