Sistemet e raketave (HIMARS) të Shteteve të Bashkuara kanë mbërritur në Ukrainë, tha të enjten ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov, sipas CNN.
“HIMARS kanë mbërritur në Ukrainë. Faleminderit kolegut dhe mikut tim Lloyd J. Austin për këto armë të fuqishme,” shkroi Reznikov në Twitter.
CNN nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur nëse ose kur HIMARS kishin hyrë në vend ose nëse ato po përdoreshin tashmë në fushën e betejës. HIMARS është një sistem raketash me shumë lëshime i zhvilluar për ushtrinë amerikane në vitet 1970.
Sistemi kërkon një ekuipazh prej tre personash, përfshirë një shofer, një gjuajtës dhe një komandant, të cilët ulen brenda kabinës së mjetit, derisa raketat lëshohen. HIMARS-ët janë të blinduar kundër predhave dhe armëve të vogla, por janë të lehtë për t’u transportuar me disa avionë.
Arma amerikane mund të lëshojë gjashtë raketa nga familja e predhave “MFOM”, me saktësi të mjaftueshme për të goditur një cak deri në 70 kilometra larg. Ajo është shumë më e saktë se lëshuesit sovjetikë të raketave, apo ata të prodhuar në Rusi.
HIMARS, gjithashtu, mund të gjuajë raketa taktike (shiko fotografinë sipër), 1.7 ton të rënda, me rreze veprimi deri në 310 kilometra. Por, Uashingtoni ka konfirmuar se këto raketa me rreze më të gjatë nuk do t’i ofrohen Kievit.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina operojnë tashmë sisteme MLRS, por versioni HIMARS me gjashtë raketa që po dërgohet për të ndihmuar Kievin është më i avancuar, me rreze dhe saktësi superiore.
Ukraina ka kërkuar rreth 300 nga këto sisteme. Deri më sot, SHBA i ka dhuruar vetëm katër HIMARS Ukrainës. Më vete, Gjermania do të dërgojë tre sisteme të tilla në Ukrainë, tha të mërkurën ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht./arbresh.info/