LajmeRajon

Osmani e fillon fjalimin në Parlamentin Evropian me fjalët e Rugovës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani citon Rugovën në PE me “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe kërkon mbështetje: Qëndroni pranë nesh në këtë moment kritik

Presidentja Vjosa Osmani është duke mbajtur fjalimin historik në Parlamentin Evropian.

Ajo këtë fjalim e ka nisur me trinomin e ish-presidentit Ibrahim Rugova: “Liri, Pavarësi, Demokraci”.

Përgjatë adresimit të saj, Presidentja Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE.

“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, theksoi Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.

“Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert Presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t’ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”.

Para eurodeputetëve, Presidentja Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq” dhe në këtë kontekst, shprehu mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe përcaktimin se Bashkimi Evropian është destinacioni Kosovës.

“Jam këtu për ta shprehur mbështetjen ndaj jush dhe në këtë moment kritik për të ju bërë thirrje që të qëndroni palëkundur pranë nesh”.

Show More

Related Articles

Back to top button