Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera shtrenguese, nëse Qeveria Kurti nuk i përmbush kërkesat ndërkombëtare.
“Kemi vendosur dhe kanë hyrë në fuqi një pjesë të sanksioneve ndërkohë që ka propozime për një sërë masash të tjera të përkohshme. Shtetet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht këto masa shtrënguese ndaj Kosovës nëse nuk do të ketë ndryshim të qasjes së autoriteteve të këtij shteti. Spektri i sanksioneve është relativisht i gjerë.”
Stano ka thënë se sanksionet janë si kundërpërgjigje ndaj “dështimit” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të marrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
“Pavarësisht përpjekjeve dhe bisedave mes zyrtarëve të lartë të BE-së dhe kryeministrit Kurti, ky i fundit nuk ka ndërmarrë hapat e duhura për uljen e tensioneve në veri. Letra që Kurti i ka dërguar Përfaqësuesit të Lartë Borrell ku ka bërë pesë propozime, nuk e adreson problemin kryesor dhe nuk tenton të bëjë hapa për uljen e tensioneve”.
I pyetur të komentojë kritikat e Kurtit ndaj të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, se ai nuk po sillet si lehtësues i paanshëm, por “vjen me kërkesa të Serbisë”, Stano ka thënë se nuk i komenton deklaratat e palëve dhe se “Lajçak është emëruar dhe e ka marrë mandatin nga 27 vende të BE-së, në emër të BE-së e kryen mandatin e tij në mënyrë të paanshme”.