Rreth 60 migrantë humbën jetën pasi varka e peshkimit me të cilin ata udhëtonin, u përmbys dhe u fundos brigjet në jug të Greqisë, transmeton Zëri i Amerikës.
Autoritetet bënë të mundur shpëtimin e më shumë se 100 persona, por nuk dihet numri i saktë i imigrantëve që ndodheshin në varkën e mbingarkuar. Autoritetet dyshojnë se numri i viktimave mund të jetë më i lartë.
Autoritetet e Rojes Bregdetare të Greqisë, thanë se të paktën 59 migrantë u mbytën mëngjesin e së mërkurës ndërsa shumë të tjerë dyshohen se kanë humbur pasi varka e peshkimit me të cilën ato udhëtonin, u përmbys dhe u fundos në jugperëndim të Greqisë, në pjesën jugore të rajonit të Peloponezit.
Ky është rasti më i rëndë për këtë vit, për Greqinë, sa i përket numrit të viktimave si pasojë e mbytjes së një varkave në ujrat e këtij shteti.
Deri në mesditë, u bë i mundur shpëtimi i 104 migrantëve, por autoritetet thanë se mbetet ende e paqartë se sa ishte numri i saktë i atyre që gjendeshin në varkë.
Një zyrtar i ministrisë së Transporteve, i cili foli në kushte anonomiteti, tha se autoritetet druhen se numri i viktimave mund të jetë më i lartë.
Varka u pikas të martën vonë nga Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijve, Frontex, në ujrat ndërkombëtare, rreth 80 kilometra në jugperëndim të qytetit bregdetar grek Pilos.
Autoritetet e Rojes Bregdetare te Greqisë thanë se një numër i madhë i imigrantëve që gjendeshin në kuvertën e varkës, refuzuan ndihmën.
Pak orë më vonë, varka u fundos duke çuar në nisjen e një operacioni kërkim-shpëtimi.
Televizioni shtetëror grek ERT njoftoi se varka që po lundronte drejt brigjeve italiane, ishte nisur nga qyteti i Tobrukut të Libisë. Shumica e imigrantëve që ndodheshin në të, ishin djem të rinj në të njëzetat.
Autoritetet greke nuk konfirmuan menjëherë se nga prej cilit port ishte nisur varka, por zyrtari i ministrisë së transporteve tha se shumica e personave që gjendeshin në të, ishin nga Egjipti, Siria dhe Pakistani.
Imigrantët të cilët arritën të shpëtoheshin u dërguan në qytetin grek të Kallamatës.
Greqia, e cila aktualisht drejtohet nga një qeveri e përkohshme, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme në 25 qershor, është një nga pikat hyrëse kryesore të hyrjes së refugjatëve, kryesisht nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika për në vendet e Bashkimin Europian.
Shumica e tyre i drejtohen ishujve grekë përmes Turqisë fqinje, por një numër i madh varkash kryejnë udhëtime më të gjata dhe më të rrezikshme nga Turqia në Itali, përmes Greqisë.
Sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara, rreth 72 mijë refugjatë dhe imigrantë kanë mbërritur deri tani në Itali, Spanjë, Greqi, Maltë e Qipro. Shumica e tyre kanë zbarkuar në Itali.