Parlamenti Evropian, me 499 vota pro dhe 28 kundër, miratoi sot ligjin për inteligjencën artificiale, i cili vendos kufizime mbi mënyrën se si mund të përdoret kjo teknologji nga kompanitë dhe forcat e zbatimit të ligjit.
Ligji i klasifikon sistemet e inteligjencës artificiale bazuar në katër nivele rreziku, nga ai minimal deri tek niveli i papranueshëm.
Ndërkohë, Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare po shqyrton mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale për të ndihmuar në identifikimin e mallrave të prodhuara me ndihmën e fëmijëve dhe me punë të detyruar.
Ligji i miratuar nga Parlamenti Evropian i klasifikon sistemet e inteligjencës artificiale bazuar në katër nivele rreziku, nga ai minimal deri tek niveli i papranueshëm. Një nga amendamentet e debatuara të tij që do t’i jepte mundësinë policisë të mblidhte të dhëna biometrike në kohë reale, u hodh poshtë.
Sipas ligjit, për përdorimin e inteligjencës artificiale në situata me rrezik më të lartë, si për të vënë shënjestër fëmijët, kompanitë do të përballen me rregulla më të forta, përfshirë një nivel më të lartë transparence dhe përdorim më të saktë të të dhënave.
Për shkeljen e këtij ligji kompanitë mund të gjobiten me një shumë që mund të arrijë deri në 33 milionë dollarë ose 6 për qind të të ardhurave të tyre vjetore, që në rastin e kompanive teknologjike si Google dhe Microsoft mund të arrijë deri në miliarda dollarë. Ligji ndalon përdorimin e programeve të identifikimit të njerëzve në hapësirat publike.