Klubi futbollistik “Rinia” nga fshati Negotinë është shpallur kampion në Ligën rajonale të Pollogut me gjeneratën 2008/2009. Është viti i dytë me rradhë që K.F “Rinia” shpallet kampion në këtë Ligë, duke vërtetuar edhe njëherë faktin që Negotinën e pret një e ardhme e ndritur përsa i përket futbollit. Venhar Velija – profesor pranë shkollës së futbollit “Rinia” në Negotinë sqaron se kanë garuar me 14 skuadra të Pollogut, të gjitha të fuqishme, por mundi dhe sakrfica, thotë ai, ka sjellur rezultatin e pritur.
“Është një rrugëtim 5 vjeçar ku me këta nxënës të cilët janë më meritorët e kësaj pune, kemi sakrifikuar dhe poashtu kemi kaluar nëpër pengesa të ndryshme, por në fund ia arritëm qëllimit. Jemi kampion me gjeneratën 2008/2009 në Ligën rajonale të Pollogut ku garuan afër 14 ekipe”, deklaron Venhar Velija – profesor pranë shkollës së futbollit “Rinia” në Negotinë.
Velija thekson se Negotina ka pasur gjithmonë futbollistë cilësor. Ai pret që këta futbollistë të rinj nesër ta gjejnë veten në skuadrat e superligës vendore, pasi sipas tij, ata vërtetë e meritojnë një gjë të tillë.
“Gjithmonë ka pasur dhe do ketë dhe poashtu besoj që klubet që garojnë në liga më të larta, në superligë, besoj se do të jenë më të përpiktë dhe do të kontribuojnë më shumë në mundin që e japim ne pasi ne kemi talente këndej dhe do ketë gjitmonë”, deklaron Venhar Velija – profesor pranë shkollës së futbollit “Rinia” në Negotinë.
Edhe Gadaf Bexheti, trajner i K.F “Rinia” thekson se kanë nxënës shumë të mirë, të cilët ai pret të avancohen në të ardhmen.
“Ne këtë vit me gjeneratën 2008/2009 u shpallëm kampion dhe gjithësesi e mbrojtëm titullin pasi edhe vitin e kaluar ishim kampion me gjeneratën 2007/2008. Me një punë të palodhshme, me nxënës shumë të mirë, u kurorëzuam sërish me titullin kampion dhe shpresojë të vazhdojmë kështu. Këtu kemi nxënës shumë të mirë të cilët presin të avancohen në klubet si ‘Shkëndija’, ‘Gostivari’, etj. Shpresojmë që me punë, ata do arrijnë qëllimin, të bëhen futbollist shumë të mirë, por paraprakisht fëmijë e nxënës të mirë”, deklaroi Gadaf Bexheti, trajner i K.F “Rinia”.
Djellëzim Dauti, kapiten i K.F “Rinia” – Negotinë sqaron se kampionati ka qenë i vështirë, por me punë thotë ai, arrihet deri te suksesi.
“Kemi sakrifikuar, kemi bërë shumë punë, por tani jemi krenarë me rezultatin dhe titullin e fituar si kampion. Ishte e vështirë pasi kishte shumë ekipe si ne që garonin, por ne dolëm më të suksesshëm”, deklaron Djellëzim Dauti , kapiten i K.F “Rinia” – Negotinë.
Pas mbylljes së ndeshjes miqësore me Pirokun, gjatë ceremonisë zyrtare për ndarjen e kupës dhe medaljeve, shkolla e futbollit “Rinia”, ka ndarë mirënjohje për të gjithë donatorët dhe kontribues të tjerë, pa të cilët, siç thotë trajneri Bexheti, suksesi dhe titulli kampion do të ishte i paaritshëm.
“Duhet të përshëndetën prindërit për donacionet që na bënë, në veçanti e përshëndesim Fikret Dautin i cili na pëkrah pa masë në çdo aktivitet që kemi, por na duhet akoma përkrahje. Pa mbështetje të prindërve, donatorëve ne nuk mund të arrijmë asgjë. I përshëndesim edhe drejtorët e shkollave fillore të cilët nuk kanë kursyer asgjë, duke pasur në dispozicion edhe sallën e mjetet tjera të nevojshme që ne të arrijmë e të shpallemi kampion me këtë gjeneratë”, deklaron Gadaf Bexheti, trajner i K.F “Rinia”.
K.F “Rinia” deri te arritja e titullit kampion ka zhvilluar 22 ndeshje, prej të cilave 18 i ka fituar, tre i ka humbur dhe një e ka luajtur me rezultat baraz. Vendin e dytë e ka zënë K.F “Renova”, kurse të tretin “Dardanët”. Ndryshe, organizatorë i Ligës rajonale të Pollogut është Lidhja e Futbollit të Gostivarit e cila funksionon në kuadër të Federatës së Futbollit të Maqedonisë.