LajmeRajon

“Masë ekstreme”, katër organizata botërore për liri të mediave reagojnë bashkë për rastin e Klan Kosovës, shprehen të alarmuara

Qendra Evropiane për Liri të Shtypit (ECPMF), bashkë me tri organizata tjera për lirinë e medias, IPI, EFJ dhe IFJ, kanë reaguar në lidhje me situatën e krijuar pas vendimit të MINT-it për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

“Organizatat e nënshkruara ndërkombëtare për lirinë e medias dhe gazetarët shprehin sot alarmin për masën e paprecedentë të autoriteteve të Kosovës për të pezulluar certifikatën e biznesit të transmetuesit kryesor televiziv privat, Klan Kosova, dhe për të ngritur kallëzime penale kundër përfaqësuesve të tij”.

“Veprimet e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë janë jashtëzakonisht serioze dhe paraqesin rrezik serioz për ushtrimin e lirisë së mediave në Kosovë. Kjo është hera e parë në historinë e vendit që certifikata e biznesit të një transmetuesi pezullohet në një mënyrë të tillë. Tërheqja e certifikatës së biznesit, e cila mund të çojë në heqjen e licencës së transmetimit, është një masë shumë ekstreme dhe duhet të merret vetëm në rrethana të jashtëzakonshme dhe në përputhje të plotë me shtetin ligjor”.


“Organizatat tona janë të shqetësuara se urdhri për pezullimin e certifikatës është arbitrar dhe nuk është marrë mbi një bazë të qëndrueshme ligjore. Njoftimi është bërë pa paralajmërim paraprak, procedura e përdorur për të justifikuar pezullimin nuk duket të jetë e zbatueshme në legjislacionin përkatës kombëtar dhe Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve nuk ka kompetencë për të pezulluar në mënyrë të njëanshme një certifikatë”.

“Më tej theksojmë me shqetësim se ky akt i presionit të dukshëm politik ndaj një stacioni televiziv të madh nga Lëvizja Vetëvendosje minon progresin e Kosovës në lirinë e mediave në vitet e fundit, gjë që organizatat tona e vunë re së bashku pas një misioni të fundit ndërkombëtar në vend në nëntor 2022”.

“Më 14 qershor, Ministria thirri përfaqësuesin e kompanisë mëmë të Klan Kosova për një takim të paspecifikuar gjatë të cilit ministrja informoi se certifikata e biznesit të stacionit do të pezullohej. Gjithashtu u zbulua se në Departamentin e Krimeve të Rënda ishte nisur një kallëzim penal ndaj televizionit dhe personave brenda strukturës së tij pronësore. Arsyetimi i masës së pezullimit përfshin adresën me të cilën pronari i kompanisë mëmë të Klan Kosova, KGO Media Investments Holding, kishte regjistruar bizneset e tij”.

“Pas vlerësimit të kujdesshëm të këtyre zhvillimeve, ne nuk besojmë se arsyetimi për pezullimin e certifikatës ka baza të mjaftueshme ligjore. Përkundrazi, ndajmë qëndrimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) se ky veprim i Ministrisë paraqet një përpjekje shqetësuese për të ushtruar presion politik ndaj Klan Kosovës dhe pronarëve të saj. Ne shprehim solidaritetin tonë me redaksinë e kanalit dhe gazetarët gjatë kësaj periudhe pasigurie”.

“Tani për tani, kanali televiziv dhe radioja mbeten në transmetim dhe faqja e saj e lajmeve vazhdon të funksionojë. Nëse certifikata e biznesit do të tërhiqej zyrtarisht pas një urdhri gjykate, licenca e saj e transmetimit do të revokohej dhe do të detyrohej të pushonte së funksionuari. Klan Kosova e kritikoi ashpër masën dhe po përgatitet për ankesë, e cila do ta shtynte masën deri në njoftimin e dytë. Mediumi tha se po përgatiste gjithashtu përgjigje të mëtejshme ligjore”.

“Më vonë sot, më 16 qershor, Komisioni i Pavarur për Media (KPM), i cili mbikëqyr mediat transmetuese të vendit, do të mblidhet për të diskutuar këtë çështje. Nisur nga pikëpyetjet serioze lidhur me ligjshmërinë dhe procedurën e vendimit, organizatat tona bëjnë thirrje që çdo vendim lidhur me Klan Kosovën të shtyhet deri në zbardhjen e situatës dhe kryerjen e një vlerësimi të plotë ligjor”.

“Tutje, ne gjithashtu i bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe ministres Hajdari që të sigurojnë që pezullimi i certifikatës së biznesit të Klan Kosovës të anulohet menjëherë dhe të ndërpriten të gjitha format e presionit ndaj mediave – politike, administrative dhe rregullatorë”.

“Organizatat tona do të vazhdojnë të monitorojnë nga afër këtë situatë dhe do t’i përgjigjen zhvillimeve të mëtejshme. Ne vazhdojmë të mbështesim ushtrimin e papenguar të lirive gazetareske në Kosovë”.

Organizatat nënshkruese:

International Press Institute (IPI)

European Federation of Journalists (EFJ)

International Federation of Journalists (IFJ)

European Centre for Press and Media Freedom (ECPMF)

Show More

Related Articles

Back to top button