Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ajo çfarë i duhet rajoint është që Serbia të deklarojë pavarësinë nga të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë, dhe të heqë dorë nga politikat e saj, që ai i vlerëson hegjemoniste.
Komentet, Kurti i bëri gjatë paraqitjes në një panel në kuadër të Forumit të Prespës që po zhvillohet në Strugë të Maqedonisë së Veriut, më 16 qershor.
Komuniteti ndërkombëtar e ka kritikuar Prishtinën zyrtare për nxitje të tensioneve.
I pyetur në Forum se si i komenton kritikat në drejtim të tij, që i kanë vlerësuar veprimet e tij si shumë të ashpra, dhe vetë Kurtin si personi që po përshkallëzon situatën, kryeministri u përgjigj duke thënë se ai “beson në bashkëpunimin trans-atlantik”.
“Ne dëshirojmë të kontribuojmë, e jo vetëm të përfitojmë; dhe dëshirojmë të mbrojmë. Unë besoj në bashkëpunimin trans-atlantik. ”, tha kryeministri.
“Policia jonë është më profesionalja në rajon që i shërben shtetit më demokratik në rajon. Ata jënë të orientuar nga Perëndimi dhe janë të trajnuar nga perëndimorët. Prandaj jemi në këtë luftë të rëndësishme”, tha mes tjerash ai.
Ndryshe, një ditë më herët, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.