Shefi i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Gjenerali Angelo Michele Ristuccia, u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të heqin dorë nga retorika dhe të bisedojnë për t’i ulur tensionet.
“I ftoj sërish të dyja palët që të shmangin retorikën e kotë dhe të përballen me këtë sfidë në tavolinë të negociatave, pasi kjo është rruga e vetme për ta zgjidhur këtë situatë”, u ka thënë ai gazetarëve në selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.
Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe për pasojë ka pasur protesta të vazhdueshme.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka ftuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë këtë javë në Bruksel, në një takim urgjent për menaxhim të krizave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, ndërsa ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.
Mbrëmjen e djeshme Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës paralajmëroi të gjithë qytetarët për bllokimin e rrugës në afërsi të pikave kufitare Jarinjë dhe Merdare në territorin e Serbisë.
Kjo për shkak të protestave të shoferëve serbë të kamionëve të cilët nuk po lejohet të kalojnë kufirin.
“Në territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdare, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova. Nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Pas rrëmbimi të tre policëve, Kosova vendosi për qarkullim të kufizuar dhe kontrolle të shtuara në të gjitha pikë kalimet kufitare me Serbinë.