Ukraina është në bisedime me prodhuesit perëndimorë të armëve për ta shtuar prodhimin e armëve, përfshirë dronët, dhe mund të nënshkruajë kontrata në muajt e ardhshëm, tha një ministër ukrainas.
“Jemi në diskutime shumë të hollësishme me ta dhe jemi të sigurt se do t’i kemi marrëveshjet e kontratave të nënshkruara brenda disa muajve të ardhshëm”- tha zëvendësministri për Industri Strategjike i Ukrainës, Sergiy Boyev, raporton agjencia “Reuters”.
Në maj, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij ishte duke punuar me kompaninë britanike të mbrojtjes, “BAE Systems”, për të ndërtuar një bazë ukrainase për prodhimin dhe riparimin e armëve, nga tanket te artileria. Megjithatë, ende nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje.
Prodhuesi gjerman i armëve, “Rheinmetall”, tha muajin e kaluar se kishte themeluar një sipërmarrje të përbashkët me konglomeratin shtetëror ukrainas, “Ukroboronprom”, për të prodhuar dhe riparuar tanke në Ukrainë. Operacionet pritet të fillojnë nga mesi i korrikut.
“Ukraina ka nevojë për këtë, sepse automjetet dëmtohen, kanë nevojë që të riparohen, qëllohen me zjarr”- tha shefi ekzekutiv i prodhuesit “Rheinmetall” javën e kaluar.
“Ne synojmë që ta ndihmojmë Ukrainën në mënyrë që ata të mund ta bëjnë mirëmbajtjen e automjeteve të tyre dhe të prodhojnë pjesë rezervë vetë”- shtoi ai.
Zëvendësministri Boyev tha: “Mbrojtja nga agresioni në të ardhmen do të kërkojë një industri të fuqishme të mbrojtjes në Ukrainë, forcat të armatosura ukrainase të fuqishme. Prandaj ne mendojmë që ardhja e partnerëve ndërkombëtarë në Ukrainë, duke e vendosur prodhimin dhe duke e bërë Ukrainën pjesë të kornizës së sigurisë për botën e lirë, është aq jetike.”
Megjithatë, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, aleat i ngushtë i presidentit të tanishëm, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia do të hakmerrej, duke goditur çfarëdo objekti të ndërtuar nga kompania “Rheinmetall” në Ukrainë.