Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar duke kërkuar që tre policët e rrëmbyer mos të përdorën për qëllime politike.
Sipas KMDLNj, Serbia deri më sot nuk ka lejuar asnjë burim të pavarur t’i vizitojë policët e rrëmbyer e që do të raportonte për gjendjen e tyre apo trajtimin eventual jo të mirë ndaj tyre.
“KMDLNj –ë thërret të gjithë akterët, pozitë dhe opozitë, media dhe persona me ndikim që të përmbahen nga deklaratat e papërgjegjshme që shkaktojnë paqartësi dhe huti te familjarët dhe opinioni, duke rritur shpresat dhe duke caktuar data për lirimin e policëve të rrëmbyer. Nuk ka asnjë dyshim që qeveria e Kosovës përmes kanaleve diplomatike angazhohet që çështje e policëve të rrëmbyer të zgjidhet sa më shpejtë por se kjo nuk është në dorën e tyre”, thuhet në reagim.