BotaLajme

Dëgjohen zhurma nënujore në kërkim të nëndetëses së zhdukur

Operacioni për shpëtimin e pesë personave në bordin e nëndetëses së zhdukur në Oqeanin Atlantik është duke vijuar.

Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes një postimi në Twitter, ka konfirmuar lajmet se avioni kanadez P-3 kapi zhurma nënujore në zonën e kërkimit.

Si rezultat i këtyre zhurmave, Roja Bregdetare tha se tashmë operacioni ishte përqendruar te zona nga kishin ardhur zhurmat, por ende nuk ka rezultate.

CNN raportoi se zhurmat ishin dëgjuar çdo 30 minuta nga zona ku ishte zhdukur nëndetësja. Zhurmat janë dëgjuar edhe katër orë pas herës së parë kur ishin diktuar nga ekipet e shpëtimit.

Ekipet e kërkim-shpëtimit tashmë janë në luftë me kohën pasi, sipas llogaritjeve, personave në nëndetëse iu ka mbetur edhe pak orë deri në përfundim të oksigjenit.

Nëndetësja e ka humbur komunikimin me operatorët të dielën, kur ka qenë në zonën jugore të Njufaundllendit në Kanada.Ajo i dërgon turistët në zonat e thella të Atlantikut për t’i parë pjesët e fundosura të Titanikut.

Kompania OceanGate që mundëson këtë udhëtim, u kërkon pasagjerëve 250.000 dollarë për t’i parë nga afër pjesët e fundosura të anijes së famshme.

Pjesëmarrësit udhëtojnë rreth 595 kilometra me një anije të madhe, përmbi Titanik, dhe më pas e nisin një zhytje tetorëshe me nëndetësen Titan, për të arritur në thellësi.

Show More

Related Articles

Back to top button